Egzon Bejtullai prezantohet te Shkëndija

Egzon Bejtullai kthehet në rradhët e Shkëndijës duke firmosur kontratë tre vjeçare.

Klubi i Futbollit Shkëndija komunikon kthimin e Egzon Bejtullait, pasi mbrojtësi reprezentues edhe zyrtarisht ka firmosur kontratë tre vjeçare me kuqezinjtë.

Pasi paraprakisht zhvilloi gjashtë sezone fantastike me kuqezinjtë, Egzon Bejtullai sërish kthehet në klub pas një periudhe të shkurtër jashta vendit.

“Edhe pse e dija se një ditë do të kthehesha, kurrë se kisha menduar se do të ndodhte kaq shpejt. Jam i emocionuar. Tetova dhe Shkëndija janë shtëpia ime dhe jam i entuziazmuar që kthehem këtu për të veshur sërish fanellën kuqezi“, deklaroi Egzon Bejtullai.

Aktualisht mbrojtësi 26 vjeçarë, në Shkëndijë për herë të parë erdhi në vitin 2013 dhe ishte blerja e parë e skuadrës pas hyrjes në klub të sponsorit “Ecolog”. Ai u rrit në një prej mbrojtësve më të mirë në vend dhe rajon. Gjatë periudhës së kaluar në Shkëndijë, Bejtullai ishte pjesë e sukseseve më të mëdha në historinë e klubit, duke fituar 2 tituj kampion, 2 trofe të Kupës, ndërsa ishte në mesin e lojtarëve kryesorë edhe në sukseset në Kupat e Europës ku kuqezinjtë në vitet 2016, 2017 dhe 2018 tre herë rresht arrinin në fazën play off të UEFA Europa League. Paralel me sukseset me Shkëndijën, ai u bë pjesë standarde e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut.

Në janar të këtij viti, Bejtullai firmosi me Helsingborgs IF në elitën e futbollit suedez, duke dashur të provojë veten jashta vendit, por për shkaqe familjare vendosi të ndërpriste kontratën para kohe.