Arteta, i zemëruar: Disfata e sotshme është e papranueshme

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, e cilësoi si të papranueshme disfatën me rezultat 2:1 të skuadrës së tij kundër Brightonit në Premierligë, përkundër që shtoi se e di që e ka një skuadër të re.

Brightoni i “rrëmbeu” tre pikët e ndeshjes kundër Arsenalit, duke e shënuar golin e fitores në sekondat e fundit të ndeshjes. Fitorja me rezultat 2:1 ia jep Brightonit tre pikë të rëndësishme në garën për mbijetesë, ndërsa Arsenalit i dëmtohen edhe më shumë gjasat për kualifikim në Ligën e Kampionëve.

Përderisa Arsenali ishte skuadra më e mirë në American Express Community Stadium, londinezët nuk arritën ta gjejnë golin deri në minutën e 68-të, kur shënoi Nicolas Pepe, pasi që goli i shënuar nga Pierre Emerick-Aubameyang 15 minuta më parë ishte anuluar shkaku i një pozite jashtë loje.

Festa e tifozëve të Arsenalit nuk zgjati shumë pasi që Brightoni arriti ta barazojë rezultatin vetëm shtatë minuta më vonë, kur një goditje e Leëis Dunk krijoi një rrëmujë në mbrojtjen e Arsenalit dhe e barazoi rezultatin.

Arsenali vazhdoi të luftojë për ta shënuar golin e fitores, megjithatë këtë gol e gjetën vendasit në sekondat e fundit të ndeshjes, kur golin e shënoi Neal Maupay. Ky gol shkaktoi një zënkë mes lojtarëve, pasi gjyqtari e sinjalizoi fundin e ndeshjes.

“Jam shumë i zemëruar. Mënyra se si e humbëm këtë ndeshje është e papranueshme”, ka thënë Arteta.

“Neve na pëlqen gara dhe e di se e kemi një skuadër të re, por megjithatë ne e çuam kot këtë ndeshje. Duhej ta kishim siguruar rezultatin më herët”.