Pompeo i paralajmëroi evropianët për rrezikun e varësisë nga Kina

Uashington, 19 qershor 2020 (MEDIAL) – Sekretari shtetëror amerikan Majk Pompeo i paralajmëroi sot evropianët për rrezikun e “varësisë” nga Kina, e cila sipas tij, kërcënon demokracitë perëndimore.

“Partia komuniste kineze dëshiron t’ju detyrojë të zgjidhni midis SHBA-së dhe Kinës”, theksoi Pompeo në një video fjalim në Samitin e Demokracisë, të organizuar në Kopenhagë.

Ai theksoi se një zgjedhje e tillë nuk mund të ekzistojë pa mohimin e asaj se çfarë janë në të vërtetë ato vende, duke shtuar se “demokracitë që varen nga regjimet autoritare nuk e meritojnë emrin e tyre”.

“Shpresoj të dëgjoj më shumë deklarata publike nga Evropa për çështjen e sfidës kineze. Është e nevojshme të flasim qartë dhe mbi të gjitha, të veprojmë me vendosmëri, në mënyrë që të mos lihet vend për çdo konfuzion në zgjedhjen midis tiranisë dhe lirisë”, deklaroi Pompeo në një nga fjalimet e tij më të ashpra deri më tani në lidhje me Pekinin. ls/shk/