Grupi Alfarabi shpjegon vlerat islame me muzikën heavy-metal

në kategorine Bota

ÖMER FARUK YILDIZ

Grupi malajzian i rrymës muzikore heavy-metal Alfarabi shpjegon moralin dhe vlerën islame përmes muzikës metal, shkruan Anadolu Agency (AA).

I themeluar nga një grup inxhinierësh softuerësh në Kuala Lumpur në vitin 2009, grupi Alfarabi tregon një ndryshim nga shembujt e tjerë me llojin e tij të strukturës që sintetizon muzikën heavy-metal me Islamin.

Themeluesi i grupit Nazri Alias është në kitarë ritmike, bashkëshortja e tij Rina Ghazali në kitar bas, në vokal Nasaie Nawawi, në kitar solo Kamarul Borhan dhe bateri Adie Wady

Grupi Alfarabi gjithashtu jashtë Malajzisë ka një masivitet admiruesish edhe në të gjitha vendet e Azisë Juglindore me popullsi muslimane.

Ashtu si muzikantët e tjerë heavy-metal, anëtarët e grupit vishen kryesisht me veshje të zezë, duke i shtuar këtij stili edhe elemente islame.

Në alternativë të numrit 666 që simbolizohet si numri i djallit nga disa grupe të tjera heavy-metal, grupi Alfarabi përdor si simbol të tij numrin 313 i cili është numri dëshmorëve të rënë në luftën e Bedrit ku ka marrë pjesë edhe profeti Muhammed.

Anëtarët e grupit, thonë se në muzikën e tyre e marrin frymëzimin nga dijetari dhe filozofi islam Farabi dhe se për këtë arsye e kanë emëruar grupin “Alfarabi”, ku dhe në skenë gjatë koncerteve të tyre për shkak të respektit për Farabi ata veshin edhe veshjen me çallmë.

Grupi i cili deri më tani ka nxjerrë tre albume, ka hapur për AA dyert e studios së tyre në qytetin Shah Alam ku kanë filluar edhe punimet për albumin e ri.

Ata kanë deklaruar se në studio punojnë në harmoni dhe falin namazin bashkarisht me xhematin dhe se ata interpretojnë muzikën e tyre duke vepruar me frymën e unitetit në Islam.

“Muzika dhe islami nuk mund të ndahen nga njëra tjetra”

Themeluesi i grupit Nazri, për AA thotë se besojnë që muzika dhe islami nuk mund të ndahen një njëra tjetra. “Asnjë dallim nuk mund të bëhet mes aftësive tona dhe mënyrës sonë të jetës. Ne besojmë se kjo aftësi na është dhënë nga Allahu dhe mendojmë se ne duhet të bëjmë diçka të dobishme për njerëzimin me aftësinë tonë”, tha ai.

Më tej Nazri thekson se parimet kryesore të tyre si grup janë që duhet të veprojnë me parimin e muzikës krijuese, teksteve të këngëve motivuese dhe të imazhit klasik.

“Në këtë drejtim, synojmë të përcjellim mesazhin tonë te pjesëtarët e muzikës heavy-metal në mbarë botën. Përveç kësaj, ne duam të performojmë bashkë me grupe si Metallica, Megadeth dhe Black Sabbath” tha Nazri.

Ndërkohë që edhe kitaristja në bas Rina, ka njoftuar se emrin e grupit e kanë zgjedhur duke u frymëzuar nga Farabi. “Farabi është një dijetar shumë i rëndësishëm islam në shkencën e muzikës. Ai ka vepra muzikore dhe instrumente muzikore që ai ka shpikur, sidomos kitarën. Kështu që ne e emëruam grupin tonë me emrin e tij që njerëzit të mësojnë se sa i rëndësishëm është Farabi”, tha ajo.

“Ka nga ata që na quajnë hebrenj për shkak të stilit tonë”

Vokalisti Nasaie thotë se ndaj grupit Alfarabi, përveç reagimeve pozitive ka patur edhe reagime të ashpra. “Rreth 3 vjet më parë, disa grupe ekstremiste në Malajzi, për shkak të stilit tonë të veshjes na përngjasuan me hebrenjtë. Për shkak se luajmë në kitarë me çallmë, na thanë se ‘Pjesën e sipërme e keni musliman ndërsa pjesën e poshtme hebrenj’. Që atëherë, për shkak se grupi ynë ka bërë që shumë njerëz të afrohen me Islamin, këta njerëz gradualisht kanë filluar të na pranojnë”, tha Nasaie.

Pasi ka vënë theksin se nuk e sheh të drejtë mendimin e disa muslimanëve që të shikohet si e ndaluar (haram) dëgjimi i muzikës përveç dëgjimit të ilahive dhe leximit të Kur’anit, Nasaie tha: “Ne si grup po ndryshojmë këto tabu. Ne, si muslimanë, jemi njerëz që kemi shpikur kitarën dhe kemi bërë shumë shpikje teknologjike. Muzika është gjithashtu pjesë e Islamit. Ne nuk shohim ndonjë pengesë për ta bërë këtë”.

“Muzika është një mjet për të arritur tek Allahu”

Ka vende që e ndalojnë muzikën heavy-metal duke e paraqitur si një “mjet të djallit”, tha Nasaie duke shtuar se “Ekziston një dallim i madh midis vetë muzikës dhe kulturës muzikore. Muzika është plotësisht e formësuar nga talenti ynë ekzistues. Por, kultura e muzikës formohet nga mënyra e jetës në një vend. Përcaktimi si një mënyrë e keqe jete e disa komuniteteve që dëgjojnë heavy-metal nuk e bëjnë edhe muzikën të keqe. Këto vende gjithashtu mund të vlerësojnë muzikën heavy-metal duke parë aktivitetet tona”.

Kamarul, kitaristi solo i grupit, për filozofinë e Alfarabit tha se “Bota është një mjet. Ndërsa Allahu është qëllimi. Ne e përdorim mjetin për të arritur qëllimin”. Ai gjithashtu deklaroi se mjeti i tyre për të arritur tek Allahu është muzika.

Deri tani, Alfarabi krahas shumë rajoneve në Malajzi ka mbajtur koncerte edhe në disa vende të rajonit si në Indonezi dhe Singapor ndërsa ka për qëllim të zhvillojë turne nëpër botë duke zgjeruar masivitetin e admiruesve të tyre.



. . . .

Burimi: https://www.aa.com.tr/sq/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.