Golem/Vijon “pushtimi” i hapësirave publike, banorët: Kemi ardhur për plazh, na kanë rrethuar si në kotec

në kategorine Shqipëri

TIRANË,  14 korrik/MEDIAL/- Resortet luksoze dhe sipërmarrjet private kanë “pushtuar” hapësirat publike duke u kthyer në një shqetësim për mbi 1000 banorë në bregdetin e Golemit.
Rreth 250 familje të cilat kanë investuar për të blerë shtëpi në bregdetin e “Golemit”, konkretisht pranë FAFA resort në Malin e Robit, Kavajë, nuk kanë dalje në bregun e detit dhe pa asnjë hapësirë për plazh publik. Ata gjenden në konflikt të vazhdueshëm me përfaqësues të këtyre sipërmarrjeve, të cilët dita ditës “gllabërojnë” metra të tjera plazhi në kurriz të hapësirave publike.
Agjencia Telegrafike Shqiptare pas vëzhgimit të bërë në fund të qershorit u rikthye sërish më datë 10 korrik për të parë nga afër situatën.
Banorët e intervistuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare theksojnë se janë dakord me investimet në sektorin e turizmit. Janë dakord që nevojiten standarde, por askush nuk mund të varros shtëpitë e blera nga 1000 vetëve, sepse do që të fitojë më shumë. Sipas tyre nuk është lënë derë pa u trokitur, fëmijë e pleq, por askush nuk i ka dëgjuar. Gjatë vëzhgimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare banorët e zonës së Golemit, shfaqën hapur irritimin e tyre me situatën ku ata ndodhen.
“Situata është siç ka qenë. Madje është ngushtuar edhe më tej. Këtë hapësirë këtu e kishim ne, por të nesërmen e intervistës këto të kompleksit FAFA erdhën dhe e bllokuan dhe atë hapësirë. Asnjë nuk është dukur nga bashkia apo nga policia”, tha qytetarja për MEDIAL.
“Vjet kishim pak hapësirë këtu, sa erdhëm sivjet e gjithë zona ishte bllokuar nga persona që besoj se s’kanë licencë për këtë punë e që ishin jashtë rregullave. Bashkia besoj ka sjellë njerëzit këtu për kontrolle, por s’kanë vendosur ujin në zjarr. Sipas ligjit duhet të kemi 20%. Ne prandaj kemi blerë shtëpi këtu, për të blerë plazhin këtu, jo për të paguar. S’kemi para për të paguar shtretërit që vendos sipërmarrja”, tha zotëria tjetër.
“Ka dhe njerëz nevojtarë, dhe duhet të ketë plazhe publike. Një ditë tentova të vendosja çadrën përpara këtyre shtretërve këtu, por më erdhën e më thanë që të ikja që aty. Jo të gjithë kanë para për të paguar rreth 600 lekë në ditë për shezlong”, tha një zonjë më tutje.
Një pushuese që kishte marrë shezlong u shpreh se “hapësirat publike duhet të ekzistojnë dhe për ata që s’kanë të ardhura për të marrë te privati çadër. Vura re gjatë një shëtitje përgjatë bregut se nuk ka hapësira të tilla për qytetarët që s’duan të paguajnë te privati”, theksoi ajo.
“Ne të vjetrit s’kemi mundësi. Kemi blerë shtëpitë e nuk na kanë lënë vend fare. I kërkojmë shtetit, bashkisë dhe të gjitha autoritetet të respektohet ligjit dhe të na japin hapësirë”, tha zotëria më tutje.
“Ne rrimë kot këtu, si  në kotec te kjo qoshja. Ne duam të kemi një 5 metër më shumë se s’na kanë lënë as për të kaluar”, tha një zotëri tjetër.
“S’ka vend në botë ku rëra e deti të jetë e privatit, këtu i ka marrë privati. As 20% nuk respektohet asnjë gjë”, tha zotëria tjetër i revoltuar.
Gjatë vëzhgimit të bërë, Agjencia Telegrafike Shqiptare vuri re se nga java në javë hapësira që iu ishte lënë banorëve të zonës së Golemit ishte zvogëluar në minimum nga sipërmarrja, ndërsa inspektime nga Bashkia siç na thanë banorët e zonës atje nuk ka pasur. /j.p/

.

Burimi: http://ata.gov.al/ 

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.