Rama publikon projektin e terminalit të pasagjerëve në aeroportin e ri të Kukësit

në kategorine Shqipëri

TIRANË, 12 korrik/MEDIAL/ Punimet për ndërtimin e aeroportit të Kukësit po vijojnë me ritme të larta, ndërkohë që ky aeroport konsiderohet si potencial i jashtëzakonshëm për të gjithë ekonominë kombëtare.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot videoimazhe nga realizimi i këtij projekti strategjik për shkak dhe të vendndodhjes së tij midis Tiranës dhe Prishtinës.
“Mirëmëngjes dhe duke ndarë me ju kënaqësinë e këtij videoimazhi nga projekti i i terminalit të pasagjerëve në aeroportin e ri të Kukësit, ku po punohet intensivisht për realizimin e projektit brenda vitit të ardhshëm, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Aeroporti i Kukësit do të mundësojë fluturime me kosto të ulët, ndërsa do të sjellë një erë të re zhvillimi për të gjithë zonën. Ai shihet edhe si një gjenerator i mijëra vendeve të reja të punës që do të hapen vit pas viti si rezultat i zhvillimit të biznesit dhe ekonomisë lokale.
Aeroporti i Kukësit ka një territor prej 512 mijë metra katrorë, me një gjatësi piste prej 1900 metrash dhe gjerësi 45 metra. Kategoria e tij është 3C, për akomodimin e avionëve turboprop dhe avionëve me turbina rajonalë. Kapaciteti i projektuar është rreth 1 milion pasagjerë në vit.
Projekti parashikon të gjitha ndërhyrjet e nevojshme për ta bërë aeroportin e Kukësit një aeroport të standardeve europiane, pjesë e të cilit do të jetë zgjerimi i pistës në krahun verior me rreth 500 metra, një terminal i ri, si dhe një kullë e re.​/m.m/ /a.g/

.

Burimi: http://ata.gov.al/ 

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.