APP- bizneseve: Respektoni fondin limit në tenderimet me vlerë të vogël në ndërtim

në kategorine Biznes

Agjencia e Prokurimit Publik risjell në vëmendje të autoriteteve kontraktore, që të respektojnë rekomandimet e dhëna më herët sa i përket procedurave të prokurimit me vlerë të vogël që ato ndërmarrin, për shërbimet e mbikëqyrjes ose të kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim. Një ndër pikat që APP u drejtohet biznesve që të respektojnë është pikërisht fondi limit.

Më tej, APP ka bërë me dije autoritetet kontraktore se, në këto lloj procedurash prokurimi, në zbatim të Udhëzimit Nr. 3, datë 08.01.2018 “Mbi përdorimin e procedurës së prokurimit me vlerë të vogël dhe zhvillimin e saj me mjete elektronike”, të ndryshuar, nuk bëhet publik fondi limit.

Për të kompletuar informacionin teknik të nevojshëm, që do t’i shërbente një operatori ekonomik për të hartuar ofertën, APP ka rekomanduar autoritetet kontraktore që në rastin e procedurës së prokurimit me vlerë të vogël të shërbimit të mbikëqyrjes dhe/ose kolaudimit, të bëjnë pjesë të dokumenteve të procedurës në fjalë edhe:

  • Vlerën e fondit limit të ndërtimit/rikonstruksionit, të objektit për të cilin do të kryhet mbikëqyrja/ kolaudimi.
  • Preventivin e punimeve të , ndërtimit të objektit, për të cilin kërkohet shërbimi i mbikëqyrjes dhe/ose kolaudimit. (preventivi me zërat e punimeve dhe volume, pa çmime i cili është publikuar në DST të procedurës respektive për fazën e ndërtimit);
  • Të dhëna mbi objektin, për të cilin kërkohet shërbimi i mbikëqyrjes dhe/ ose kolaudimit, siç janë vendndodhja e saktë e tij (koordinatat), ana funksionale, shtrirja, si dhe çdo element tjetër teknik, që autoriteti kontraktor e konsideron të nevojshëm dhe i shërben orientimit të ofertuesve të mundshëm, për njohjen e objektit, për të cilin kërkohet shërbimi në rastin konkret;
  • Grupin Tarifor respektiv, ku bën pjesë objekti, për të cilin kërkohet shërbimi i mbikëqyrjes dhe/ose kolaudimit. 

Ndërkohë, pranë APP paraqiten konstatime se, autoritetet kontraktore po shpallin dhe zhvillojnë procedura prokurimi me vlerë të vogël, duke mos dhënë informacionin e nevojshëm mbi grupin tarifor respektiv, ku bën pjesë objekti për të cilin kërkohet shërbimi. Nisur nga ky fakt, APP tërheq vëmendjen e autoriteteve kontraktore që gjatë zhvillimit të prokurimit me vlerë të vogël, për shërbimet e mbikëqyrjes dhe/ose kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim, të mbajnë në konsideratë parashikimet ligjore të legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 354, datë 11.05.2016 “Per miratimin e manualit të tarifave për shërbime në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim”, si dhe Rekomandimin e sipërcituar.

 

Burimi: www.monitor.al

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.