Zyra e Europol në Shqipëri/ Lamallari: Rrit besimin e vendeve partnere të BE-së

në kategorine Shqipëri

TIRANË, 11 korrik/MEDIAL/- Zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi sot se hapja e zyrës së Europol në Tiranë, është një lajm shumë i mirë në rritje të mbështetjes së Shqipërisë nga vendet anëtare dhe nga Europol, si dhe mbështetjes përmes kontakteve më të shumta dhe lehtësimit e shkëmbimit të informacionit kriminal.
Në një intervistë televizive, Lamallari theksoi se “ne jemi vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që shënon hapjen e zyrës së Europol dhe vendi i dytë në botë, pas Uashingtonit, që ka një zyrë të tillë ndërlidhëse të Europol”.
Sipas tij, hapja e kësaj zyre ka një domethënie të veçantë për vendin tonë që aspiron të hapë negociata me BE.
“Bashkëpunimi ka një aspiratë të veçantë për ne. Jo vetëm në aspektin praktik që do të bëhet me shkëmbimin e informacionit, rritjen së kapaciteteve të policisë shqiptare per analiza më të detajuara financiare ekonomike, që kanë të bëjnë me trendet e kriminalitetit me fokus në parandalimin e aktiviteteve të caktuar kriminale të atyre që kanë të bëjnë me trafikim e drogave, qenieve njerëzore dhe krimeve ndërkufitare”, – nënvizoi ai.
I gjithë ky bashkëpunim në rritje, shtoi Lamallari, nënkupton edhe një hap më pranë aspiratës shqiptare për tu bërë pjesë e strukturave të BE.
“Rritja e kapaciteteve të policisë shqiptare dhe përafrimi me standardet europiane bën që Shqipëria të jetë më lartë në drejtim kundër krimit të organizuar duke rritur besimin jo vetëm me Europol, por edhe me vendet partnere të BE-së. Oficeri ndërlidhës që ka ardhur nga dita e sotme në Shqipëri do të funksionojë jo vetëm si përfaqësues formal i Europol në Shqipëri, por do të jetë pikë zyrtare edhe me vendet e tjera anëtare”, – tha ai.
Zv/ministri Lamallari u shpreh se “që prej dhjetorit 2013 Shqipëria ka pasur një marrëveshje për bashkëpunim operacional dhe strategjik mes vendit tonë dhe Europol, e cila është nënshkruar në dhjetor 2013 dhe më pas ka pasur negociata intensive për ta konkretizuar këtë bashkëpunim, duke përfshirë edhe dërgimin e oficerëve ndërlidhës”.
“Shqipëria ka prej vitesh një oficer ndërlidhës në Hagë pranë Europol. Ishte koha që edhe ata të dërgonin përfaqësuesin e tyre në vendin tonë dhe këto negociata intensive u finalizuan me sukses dhe ne pamë hapjen e zyrës së Europol në Shqipëri”, – tha Lamallari. /k.s/
.

Burimi: http://ata.gov.al/ 

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.