Detajet pikante të telefonatës së rëndë mes Thaçit dhe Zaevit, pas skandalit me komedianët rusë

në kategorine Kosovë

Një telefonatë e pakëndshme i kishte ardhur kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mbrëmjen e së mërkurës.

Telefonues kishte qenë një mik i tij i vjetër dhe një përkrahës i Maqedonisë së Veriut, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Por, tonet brenda këtij bashkëbisedimi nuk kishin qenë të mira.

Telefonata ndërmjet liderëve kishte ndodhur pas skandalit të publikuar, në të cilin kryeprotagonist ishte kryeministri maqedonas Zoran Zaev, politikani i cili bëri kapërcimin e madh së fundmi duke e futur Maqedoninë e Veriut në binarët e proceseve integruese kur nënshkroi marrëveshjen me Greqinë.

Por, Zaev këtyre ditëve ishte viktimë e një shakaje me dy komedianë rusë, të cilët e kishin manipuluar politikanin me prejardhje nga Strumica se gjoja ishin ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko, reformator dhe politikan anti-rus, si dhe sekretari aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg, udhëheqës i organizatës ku Maqedonia e Veriut po synon të aderojë.

Në këtë telefonatë, Zaevi përmendi presidentët kosovarë dhe serbë, Thaçi dhe Vuçiq, se ishin bërë gati për t’i shkëmbyer 10 komuna të Kosovës me 2 komuna të jugut të Serbisë, në atë që është spekuluar gjatë kohë si shkëmbim territoresh ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si element kryesor i një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, pas reagimeve të shumta që po ngjajnë në Maqedoni dhe në vendet përreth, Klan Kosova mëson se presidenti kosovar nëpërmjet telefonatës e kishte kritikuar Zaevin për përfoljet të cilat maqedonasi i kishte bërë në adresë të kosovarit në bisedën që e kishte zhvilluar me Poroshenkon dhe Stoltenbergun e rrejshëm.

Në një bisedë me tone kritike dhe të zhvilluar në gjuhën angleze, Thaçi e kishte pyetur Zaevin “përse e kishte përmendur Kosovën dhe nga çka ishte ndikuar për të shpalosur dezinformata të tilla tek personat tjerë, të cilët në këtë rast ishin Stoltenbergu dhe Poroshenko i rrejshëm”.

I turpëruari Zaev, i cili jozyrtarisht llogaritet si faktori kryesor që po i nxjerr përgjimet e politikanëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut rishtazi, kishte pranuar se ishte manipuluar nga fake news dhe nga mediumet propagandistike ruse, si puna e Sputnik-ut.

“Po, është e vërtetë, jam frikësuar mos qëndron Rusia prapa këtyre zhvillimeve, duke e ditur se ata po kërkojnë zgjidhje si paralele për problemet me Gjeorgjinë dhe Ukrainën”, ishte përgjigjur Zaev, i cili ishte pyetur me ngulm nga Thaçi nëse këto informata i kishte marrë nga mediat ruse.

I shqetësuar nga skandali i publikuar, Zaevi – siç mëson Klan Kosova – kishte thënë se ishte manipuluar në plotëni në bashkëbisedimin me komedianët rusë.

– “Unë kërkoj falje për këtë bisedë. A mos ju kam shkaktuar probleme juve në Kosovë, z. President?”, kishte kërkuar mirëkuptim Zaevi në këtë telefonatë.

– “Jo, ju nuk më keni shkaktuar asnjë problem në Kosovë, por duket se problemet ia keni shkaktuar vetes me këtë që e keni bërë”, është përgjigjur presidenti kosovar në shqetësimin e Zaevit.

Thaçi ka insistuar ta dinte se çfarë informacionesh kishte Zaevi lidhur me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili po zgjatë për 8 vjet rresht.

“Z. President, ju e dini se unë nuk kam informacione, ju e dini se unë nuk jam pjesë e këtij procesi dhe nuk e di çfarë zhvillohet brenda negociatave ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ka pohuar kryeministri maqedonas, i cili erdhi në këtë post duke pasuar Nikola Gruevskin.

Presidenti kosovar ka kritikuar Zaevin, duke thënë se nuk është mirë të thuhen të pavërteta për çështjet të cilat ai nuk i di.

Zaevi i shqetësuar ka konfirmuar se kjo është e vërtetë, duke insistuar se kishte rënë pré e një shakaje të pakëndshme me komedianët rusë, të cilët sipas tij, kanë mundur të jenë dërguar nga Kremlini zyrtar për ta njollosur personalitetin e tij.

Maqedonasi gjatë të enjtes e ka konfirmuar bisedën me Thaçin.

Ai para mediave tha se i vjen keq për të gjithë atë çfarë ka ndodhur, duke e quajtur popullin kosovar “mik të popullit maqedonas”.

Zyrtarisht, telefonatën e ka konfirmuar edhe presidenti kosovar.

Presidenti Thaçi është shprehur se falë stafit të tij të kujdesshëm ai nuk kishte rënë në grackën e manipuluesve rusë.

 

 

 

 

Burimi: https://klankosova.tv/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.