BE, sanksione Turqisë për kërkimet në brigjet e Qipros

në kategorine Bota

Bashkimi Europian ka vendosur të ndëshkojë Turqinë për kërkimet në ujërat territoriale të Qipros. Konkretisht, Brukseli ka vendosur të ndërpresë financimet dhe çdo dialog të nivelit të lartë me Ankaranë.

Bashkimi Europian pritet të kufizojë kontaktet dhe fondet për Ankaranë, si reagim ndaj kërkimeve ilegale për naftë dhe gaz që Turqia po zhvillon në brigjet e Qipros. Në një deklaratë zyrtare, Brukseli paralajmëron Turqinë se është gati t’i intensifikojë sanksionet nëse nuk tregon vullnet për t’u tërhequr nga planet e saj.

“Pavarësisht qëllimeve tona pozitive për të ruajtur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Turqinë, shkelja që ky vend i bën sovranitetit të vendit tonë anëtar, Qipros, e detyron BE-në të reagojë”, deklaroi presidenti në ikje i Këshillit Europian, Donald Tusk.

Të enjten, diplomatët e akredituar në Bruksel u mblodhën për të diskutuar një vendim të përbashkët për të ndëshkuar Turqinë.

“Përballë aktiviteteve ilegale të Turqisë, BE vendos të pezullojë negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Transportit Ajror dhe pranon të mos zhvillojë më dialogje të nivelit të lartë me Ankaranë”, thuhet në projekt/vendimin e hartuar.

Gjithashtu, Këshilli Europian pranoi propozimin e Komisionit për të reduktuar asistencën e paraanëtarësimit për Turqinë dhe i bëri thirrje Bankës Europiane të Investimeve që të rishikojë aktivitetet e huadhënies në Turqi.

Për periudhën 2014-2020, BE duhej t’i jepte Turqisë 4.45 miliardë euro për reformat politike, agrikulturën dhe projekte të tjera në kuadër të përgatitjeve për një anëtarësim të mundshëm në bllok. Por tani BE kërcënon se do të ndërmarrë masa të tjera ndaj Turqisë nëse Ankaraja do të vazhdojë kërkimet për naftë dhe gaz./ABC News Albania 24/7

Burimi: http://abcnews.al/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.