Pendarovski vizitë zyrtare në Gjermani

në kategorine Bota

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, sot në Berlin realizoi takim me presidentin e këtij vendi, Frank Walter Steinmeier, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e kabinetit të presidentit Pendarovski thuhet se në takimin dy presidentët shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Federale të Gjermanisë, gjendjen në rajon, si dhe për aspiratat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Të dy presidentët vlerësuan se të dyja shtetet kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale, si në planin politik, ashtu edhe në shumë sfera tjera me interes të përbashkët, siç janë mbrojtja dhe siguria, ekonomia dhe arsimi. Vitin e kaluar, theksoi Pendarovski, të dyja shtetet realizuan shkëmbim tregtar prej 4.3 miliardë dollarë, ndërsa në vitin 2019 kjo shumë tashmë tejkalon 1 miliard dollarë, me çka Gjermania është në krye të listës së partnerëve tregtarë të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.

Presidenti i Gjermanisë, Steinmeier konfirmoi mbështetjen e fuqishme të vendit të tij për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Presidenti Pendarovski falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe shfaqi pritjen se Republika e Maqedonisë së Veriut së shpejti do t’i fillojë negociatat aderuese në BE dhe se së shpejti do të përfundojë ratifikimi i Protokollit për anëtarësim nga ana e vendeve anëtare të NATO-s, me çka Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e plotëfuqishme e Aleancës. Në këtë kontekst, Pendarovski shprehu kënaqësinë për ratifikimin e Protokollit për anëtarësim në NATO nga ana e Bundestagut gjerman”, theksohet në njoftim.

Pendarovski ka vlerësuar se takimi i sotëm dhe vizita në Gjermani është një mundësi për ripërtëritjen dhe intensifikimin e dialogut në nivel të presidentëve, ndërsa në funksion të forcimit të mëtejshëm të partneritetit mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë.

Në kuadër të vizitës në Gjermani, Pendarovski dje realizoi takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të këtij vendi, Heiko Maas.



. . . .

Burimi: https://www.aa.com.tr/sq/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.