Për demokracinë pas 30 qershorit

në kategorine Opinione

Tani që protesta e 21 qershorit ishte fatmirësisht e paqtë dhe opozita e vetëmërguar në rrugë la kryeqytetin për të vazhduar betejën e përditshme në të 27 bashkitë e drejtuara prej saj, në sprovë për të bllokuar procesin e votimit 6 ditë më vonë, na duhet të bëjmë një bilanc. Një bilanc të hidhur humbjesh të këtyre katër muajve e dhjetë ditë luftë për pushtet. Kemi humbur 200 milionë euro në prenotime të refuzuara nga turistët e huaj (ndoshta 30 milionë euro vetëm këtë vit), në Taksën mbi Tatimin e Shtuar (TVSH) që mat konsumin të mbledhur më pak me 15 milionë euro, në kredi të dhëna më pak nga bankat tregtare në nivelin e 35 milionë eurove, në investime të huaja të mpakura në nivelin e 60 milionë eurove dhe po kaq para në shkrehjen e përgjithshme të administratës sonë. Si asaj tatimore dhe strukturave që garantojnë investimet kapitale në ekonomi. Për vitin e ardhshëm, për shkak të këtij imazhi të një vendi të paqëndrueshëm në konflikt të përhershëm politik, frika është e gjitha aty, se mund të humbim dhjetë herë më shumë (300 milionë euro) në refuzim prenotimesh turistike për vitin 2020! Janë kosto reale që dhëmbin fort. Por që askush nga politikanët tanë, si të shumicës edhe pakicës nuk dëshiron t’i pranojë dhe të ngrejë alarmin për to. Ekonomia jonë vijon të jetë si gjithnjë viktima e pagojë e një politike krejtësisht të papërgjegjshme për fatet zhvilluese dhe integruese të vendit. Ndërkohë, krahas këtyre humbjeve, duke shpresuar se mes kiametit butaforik politik, reforma në drejtësi po vazhdon ecurinë e saj, është një reformë tjetër madhore që nga ngecur në cekëtinë. Ajo e demokracisë përfaqësuese për secilin prej nesh. Duke parë zënien e paprinciptë për kockat e pushtetit të partive tona kryesore, si qytetarë ia vlen të ndërgjegjësohemi. Programi i kërkesave tona politike duhet të jetë jo thjesht qeverisja nga një parti dhe opozita nga partitë e tjera.





Sikurse kemi bërë deri tani. Pse asgjë nuk do të ndryshojmë nga kjo lojë që pjell orë e minutë abuzimin e partive me interesat tona. Duhet të shohim cila parti nga këto që kemi tani ka vullnet real për ndryshimin e sistemit të përfaqësimit. Për kryerjen e një reforme të mirëfilltë zgjedhore, ku të garantojmë me ndryshime në Kushtetutë që kryetari i shtetit të zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë nga qytetarët. Ku ligji i funksionimit të Kryeministrisë të parashikojë përgjegjësi materiale të drejtpërdrejtë për kryeministrin dhe ministrat në rast vendimmarrjeje të gabuar për interesat e parasë publike. Ku të ndryshohet fort sistemi ynë zgjedhor dhe Kodi Zgjedhor, për të mos pasur më përfaqësim pashallëqesh në Kuvendin e Shqipërisë dhe deputetë pupacë të kryetarit-pasha të partisë. Ku të kemi një ligj më vete për llojin dhe mënyrën e zhvillimit të referendumeve me mbledhje firmash të qytetarëve. Ku ligji për financimin e partive politike të mos qëndrojë i pazbatuar si dordolec, që nuk tremb kërkënd dhe ku financimet për partitë të kontrollohen më shpesh dhe më fort se drejtoritë e tatimeve apo të doganave nga lind paraja kryesore e shtetit. Këto reforma duhet të kërkojmë si qytetarë që të dakordësohen mes partive tona politike dhe jo gara e pakuptimtë se kush voton dhe për çfarë voton gjashtë ditë më vonë.

Më 30 qershor njerëzit mund të dalin për të votuar partinë që gjykoj se ende ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve të këtij vendi. Por ajo votë me këtë sistem zgjedhjesh që kemi sot nuk shkon asgjëkund. Nuk kthehet në vullnet demokratik. Ajo votë mund të karikojë partinë që sot qeveris dhe t’ia rrisë euforinë dhe dehjen në kupë të qiellit nga mbështetja popullore që mund të marrë. Ndërsa përgjegjësia reale për qeverisjen nuk ka të bëjë me këtë mbështetje. Kjo parti që nëpër takime gjoja zgjedhore ngrefoset sot për arritjet e drejtuesve të saj vendorë, pa u shqetësuar të përmendë qoftë edhe një gabim apo faj të vetëm të këtyre “engjëjve” qeverisës në katër vitet 2015-2019, të thotë qoftë edhe në vetëm një rast ku një shërbim apo investim nuk ka funksionuar apo ka çaluar për pazotësi të “engjëjve”, nuk ka në asnjë thes programor të saj përparësitë e demokracisë përfaqësuese e funksionale. Pse vetëm kjo lloj demokracie garanton bërjen dhe mbajtjen e shtetit ligjor tek ne? Dhe jo vetëm thjesht ëndrra apo edhe vullneti epror i timonierit, sado popullor ai të ketë qenë ose edhe më shumë të jetë bërë mes qytetarëve. Populizmi nuk qeveris, por vetëm keqqeveris, pavarësisht nga sloganet. Kurse institucione që u kërkohet llogari nga struktura demokratike përfaqësuese dhe funksionale (në radhë të parë një Kuvend përfaqësues, por edhe ligji për përgjegjësinë materiale të nëpunësit publik, që KLSH-ja ka gjashtë vjet që po e kërkon të miratohet!), ato po mund të sjellin një shtet ligjor. Shteti sipas shëmbëlltyrës dhe vullnetit të një njeriu të vetëm mund të duket në pamje të parë ligjor, por katandiset shumë shpejt në autokratik.

Burimi: http://www.gsh.al

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.