“KONICA” kërkon shkarkimin e Jovevskit

në kategorine Maqedoni

Nga deputetët në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, sidomos atyre shqiptarë, Instituti “Konica” kërkon të iniciojnë procedurë për shkarkimin e kryeprokurorit Lubomir Jovevski, i cili, siç vazhdon më tej reagimi, “lejoi rikualifikimin e veprës nga vrasje me paramendim në aksident komunikacioni”

Instituti “Konica” me seli në Shkup përmes një reagimi ka shprehur hidhërimin dhe revoltën e madhe ndaj vendimit të gjykatës Themelore në Kumanovë për dënim me vetëm 6 vjet burg të Boban Iliçit, kryerësit të veprës vrasje ndaj të miturit Almir Aliu. Duke marrë parasysh faktet që janë shpalosur në opinion, thuhet në reagimin e Institutit “Konica”, ky vendim është kryekëput johuman, subjektiv e hipokrit ndaj edhe krijon hapësirë dyshimi për emocione raciste e etnonacionaliste të gjyqësorit në këtë shtet.

“Indinjata jonë shtohet edhe më shumë kur ky vendim skandaloz kalon pa asnjë reagim nga më të thirrurit, deputetët, ministrat, partitë politike, profesorët universitarë, juristët, organizatat e shumta joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe përfaqësive diplomatike në vend. Instituti Konica kërkon përgjegjësi nga fajtorët që në mënyrë direkte apo indirekte janë përfshirë në këtë skandal”.

Nga deputetët në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, sidomos atyre shqiptarë, Instituti “Konica” kërkon të iniciojnë procedurë për shkarkimin e kryeprokurorit Lubomir Jovevski, i cili, siç vazhdon më tej reagimi, lejoi rikualifikimin e veprës nga vrasje me paramendim në aksident komunikacioni. Nga Këshilli i Prokurorëve dhe Këshilli Republikan Gjyqësor, Instituti “Konica” kërkon të shqyrtojnë punën e prokurores Suzana Kusigerska dhe gjykatëses Maja Denkovska.

“Për rastin në fjalë, kërkojmë të dimë qëndrimin e kryeministrit Zoran Zaev dhe ministres së Drejtësisë, Renata Deskoska. A mendojnë se kjo është mënyra për të ardhur deri te një shoqëri për të gjithë, kur sistemi i drejtësisë krijon precedente për drejtësi selektive?”.

Instituti “Konica” fton gjithë mediat në vend të alarmojnë dhe të kërkojnë përgjegjësi politike, penale, dhe morale nga të gjithë ata që e vranë drejtësinë, por edhe të atyre që në heshtje lejuan kjo të ndodhë.

“Një shoqëri nuk mund të konsiderohet demokratike nëse jeton me idenë se padrejtësia është normë. Në Maqedoninë e Veriut ka pasur përplot raste për drejtësi selektive dhe si rrjedhojë – reagimi jonë merr peshë më të madhe. Prandaj, të gjithë që ndikojnë në sistemin e drejtësisë kanë përgjegjësi dhe duhet të reagojnë dhe jo të fshihen prapa konstatimeve nga sistemi i kaluar monist, se ‘vendimet gjyqësore nuk komentohen'”, thuhet në fund të reagimit.

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.