Të gjithë në një shtëpi

në kategorine Opinione

Dikur ishte një ide që të ndërtohet një objekt i cili do t’iu shërbente deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit. Ideja ishte nisur nga Nexhat Daci, kryetar i Kuvendit të atëhershëm. Kishte mbetur në shtylla betoni. Tani është simbol i atyre që do të na punonin aty. Një ndërtesë e papërfunduar dhe e braktisur.

Para disa ditësh, qeveria e sotme planifikonte ta shpronësonte një ndërtesë pothuajse të përfunduar dhe disi ta përfundonte idenë e parë të dështuar. Dështoi. Si duket, deputetët dhe zyrtarët e lartë shtetërorë nuk po mund tia gjejnë hallin vetes. Këta do t'ia gjejnë hallin popullit. Një shtëpi për ta duhet ndërtuar medoemos. Por jo për të punuar. Ajo shtëpi do të ndërtohet për “fëmijët e stërrritur “ të politikës që lojërat e tyre janë shkaku I problemeve tona.

Një zgjidhje për problemin e qeverisë e ka grupi Pink Floyd dhe kënga e tyre “The fletcher Home Memorial”.

Sakrificë e madhe nga Rodger Waters , anëtar i grupit muzikor, i cili pranon që shtëpia të cilën do të futen tiranët dhe mbretërit të mbajë emrin e babait të tij të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.

Kështu do të duhej ta sakrifikonim një emër heroi edhe ne. Një shtëpi me emër heroi. Ajo shtëpi do të duhej t'i ngjante shtëpisë së z.Fletcher. Ajo do të ketë një televizion, si Transmetuesi Publik i Kosovës . Aty do të dilnin me rradhë presidentë, kryeministra, të gjithë lagjja e ministrave dhe një shtet zëvendministrash e këshilltarësh. Do t’i jepej rasti edhe ndonjë zëdhënësi që ta shfaqë edhe ai veten. Një televizion cirkular sikurse i shtëpisë memoriale të z.Fletcher . Ta shikonin vetëm ata që janë banorë të asaj shtëpie dhe ta shikojnë gjatë gjithë ditës në mënyrë të përsëritur që të mendojnë se janë të rëndësishëm në një botë reale, porse bota e tyre do të ishte e izoluar brenda mureve të shtëpisë.

Aty, presidenti do të mund të shpërndante dekorata pa u ndalur e të mbante fjalime koti si ai di të bëjë më së miri ! Njëri nga presidentët tanë jepte gurë të çmuar që thoshte se janë nga toka e Kosovës , por ky e di mirë , se ata gurë , në kokën e tij , nuk janë më të Kosovës prandaj I shndrit dekoratat derisa ta verbërojnë marrësin .

Kryeministri do të shiste trimëritë e tij para secilit brenda shtëpisë , bile do ti lejohej me ndonjë amandament të thyente orenditë si akt trimërie . Ministrat do t‘i jepnin llogari shefit të tyre për çdo gjë . Që nga prerja e ndonjë shiriti koti në banjot e shtëpisë , deri tek rizbulimi i rrotës . Këtë të fundit do ta bënte me kompetencë Ministri i Inovacionit ! Është e turpshme se si dalin në medie ! Është e tmerrshme se sa e nënvlerësojnë një popull . Me trimëritë e luftës të para 20 viteve akoma hipnotizojnë mendjen e një populli të paditur nga shkaku i një politike sistematike që për qëllim ka mbytjen mendjes . Siç pati thënë rilindasi Faik Konica “Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë”.

Nëse do të ndërtohet shtëpia memoriale e z.Fletcher , zgjidhja përfundimtare do të zbatohej. Ndoshta ky popull do të kuptoj se shtëpia e veçuar nga realiteti për këtë skenë politike është shanci I fundit për një rilindje !

Burimi: http://www.ekonomiaonline.com/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.