RIFORMATIMI I QEVERISË. Opozita nuk do pushtet, kërkon zgjedhje

në kategorine Maqedoni

Opozita shqiptare përsëri e ka sfiduar kryeministrin Zoran Zaev dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizja BESA kërkojnë zgjedhjet të parakohshme parlamentare, e jo inkuadrimin e tyre në Qeveri në prag të riformatimit. Opozita shqiptare alarmon se mos caktimi i datës për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian (BE), deligjitimon Qeverinë. Ato kërkojnë që me zgjedhje të parakohshme parlamentare të dënohen politikat e gabuara të Qeverisë, shkruan gazeta KOHA në numrin e sotëm. Vetëm zgjedhje të reja parlamentare mund të sjellin reforma dhe një qeverisje serioze në Maqedoninë e Veriut, thonë nga ASH-ja. Ndërkohë që zërat për inkuadrimin e tyre në Qeveri me ri-formatim janë tendencioz dhe të liferuara nga qarqe të caktuara. Zgjedhje të parakoshme kërkon në vazhdimësi edhe VMRO-DPMNE e Hristijan Mickovskit.

“Vlerësojmë se zërat për inkuadrimin e ASH-së në Qeveri janë tendencioze dhe të liferuara nga qarqe të caktuara. ASH nuk do të paranojë që edhe njëherë të jetë pjesë e një pushteti, i cili ka dështuar. Asnjëherë më nuk do të pranojmë të jemi pjesë e një bashkëqeverisje me BDI-në, e cila është pengesa kryesore e reformave në vend. Ne mbetemi në qëndrimin se për shkak të dështimeve të mëdha të kësaj Qeverie sidomos në sistemin e gjyqësor, por jo vetëm edhe me dështimin e marrjes së datës për fillimin e bisedimeve me BE-në, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Jemi të bindur se në këto zgjedhje, BDI-në do ta çojmë në histori”, deklaroi për gazetën KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.

Nga Lëvizja BESA e Bilall Kasamit thonë se ata nuk janë në bisedime me kryeministrin Zaev për mundësinë e inkuadrimit të tyre në koalicionin qeveritar, por theksojnë se “për të dalë vendi nga kjo amulli, duhet të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare”. “Nuk ka ndonjë sinjal nga ana e kryeministrit për këtë çështje. Ne kërkojmë zgjedhje të parakohshme. Mbetemi në qëndrimin tonë se vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme. Ndërkaq, sipas Marrëveshjes së Perzhinës nëse ka zgjedhje të parakohshme, atëherë ne si Lëvizje BESA në bazë të rezultateve të nga zgjedhjet e fundit parlamentare, jemi partia e katërt dhe duhet të kyçemi në Qeverinë teknike e cila do të organizoje zgjedhjet”, deklaroi për gazetën KOHA, Arjanit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA.

Por, për “Qeverinë e Përzhinës” midis partive politike ekzistojnë dilema se a vlejnë parimet e Marrëveshjes së Përzhinës edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, apo vetëm për zgjedhje të rregullta. Në ndryshimet ligjore, të cilat janë inkorporuar edhe në Kodin Zgjedhor theksohet se Ligji vlen vetëm për zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016. Ndërsa dispozita përfundimtare thotë se ky ligj vlen vetëm për këto zgjedhje të parakohshme të 2016-ës, mirëpo më tutje përfundon dispozita përveç nenit 43, i cili thotë se “100 ditë para zgjedhjeve” dhe nuk thekson se a bëhet fjalë për zgjedhje të rregullta apo të parakohshme. (koha.mk)

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.