Edi Rama po kopjon Berishën dhe Erdoganin

në kategorine Opinione

Ashtu si Erdogani edhe Edi Rama nuk ndien nevojën e autocensurës apo të vetëpërmbajtjes në ambiciet dhe përpjekjet për të “privatizuar”, si shumë nga pronat e tij të tundshme e të patundshme, PS-në, qeverinë, gjykatat, prokurorinë, KQZ-në…   





Ka kohë që po shprehet dhe kuptohet se Edi Rama po kopjon keq e trashë Berishën më 1996- 1997, duke dashur dhe investuar, me veprime të hapura dhe me mosveprime, po ashtu të paramenduara, edhe një 97 të re, për të rirrënuar Shqipërinë dhe shqiptarët e për të lumturuar serbët, grekët, rusët, Sorosët…Duke u kthyer pas në kohë, rreth 22 vjet më parë, Berisha e ndezi vullkanin e 97-tës me arrestimin e Fatos Nanos, lider i opozitës socialiste qysh nga 12 qershori 1991; me sy e veshëmbylljen ndaj “lulëzimit“ të firmave piramidale dhe të gjëmave tsunamike, që po u sillnin ato shumicës së qytetarëve, gjithë vendit, mbarë kombit. E vazhdoi me farsën apo masakrën zgjedhore të 26 majit 1996 dhe me kokëfortësinë e pajustifikueshme dhe tmerrësisht kushtueshme për të mos lejuar dorëheqjen e kryeministrit të asaj kohe, Aleksandër Meksi. Pastaj urat e zjarrit, grykat e panumurta të kallashnikovëve, topat, tanket, autoblindat, ose shprehur sipas frazeologjisë sportive, stafetën,  ia la në duar “vëllezërve opozitarë”, një pjesë të madhe e të cilëve ishin bërë bosë në biznese, milionerë për 1-4 vjet, nën hundën e tij. Me këto veprime dhe mosveprime, për mua personalisht, aspak nga mungesa e përvojës politike dhe qeverisëse, Sali Berisha e futi veten në histori si një nga nismëtarët, nxitësit dhe bashkëfajtorët kryesorë për tragjedinë dhe marrëzinë shqiptare të 1997-tës.  Ajo u mbyll me një numër të madh viktimash nga duar shqiptare, ndoshta gati sa u vranë në luftën kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë dhe me gjëma të tmerrshme afatgjata  në ekonomi dhe financa, në pasuri të tundshme e të patundshme, në turizëm, arsim, kulturë, shëndetësi, infrastrukturë…

Humbësit më të mëdhenj ishin shumica e qytetarëve të thjeshtë. Ndërsa fituesit më të mëdhenj ishin shumica e politikanëve, ish qeveritarëve, që i lanë pa dëshirë kolltukët dhe qeveritarët e rinj, që u ulën me shpejtësi në kolltukut ende të ngrohtë nga prapanicat e paraardhësve të tyre. Të dy palët i “dogjën “ rrëmbimthi veshjet e kohës së “tragjedisë mbarëshqiptare”, “i fshinë” shpejt e shpejt me një amnisti të përgjithshme gjurmët dhe njollat e krimeve e të gjakut, të lëna nëpër sheshe, rrugë, rrugica, godina shtetërore,  banka, biznese, magazina si dhe milionat e fituara, kryesisht nga burime të pista e kriminale. Por, mesazhi që lanë dhe përcollën të dy palët  ishte i qartë dhe lehtësisht i kuptueshëm, në shqip dhe në gjuhët më të përdorshme ndërkombëtare. Për kolltukë kryeministri, presidenti, ministrash, deputetësh, prefektësh, kryebashkiakësh, drejtorësh të përgjithshëm…i vunë zjarrin edhe mbarë vendit dhe qytetarëve…Sikur të mos kishte fare dijeni për 97-tën, një investim me kapitale apo aksione gati të barabarta, me rreth 50%, nga gjasme e djathta dhe gjasme e majta, përfaqësuar nga PD-ja dhe PS-ja, për përvojën negative dhe pësimin e rëndë të Berishës si dhe për erozionin jo të vogël të partisë së tij në biografinë, historinë politike dhe qeverisëse, në imazhin në vend e në botë, Edi Rama ka kohë që kryen me paramendime dhe ndërgjegje të plotë, veprime me mesazhin e kobshëm  se po e kopjon Berishën për një 97-të te re. Po e bën këtë pa reflektuar ndaj kritikave dhe vërejtjeve që i bëhen nga poshtë e nga lart, nga opozita, nga mediat, nga shoqëria civile dhe miqtë e vërtetë ndërkombëtarë. Veprimet e tij autoritariste, bajraktariste, tejet subjektive e të diskutueshme, në planet njerëzor, social, financiar, ligjor, demokratik, partiak…, sidomos gjatë këtyre 6 viteve, shprehin shumë qartë se ai mendon, sillet, firmos, vulos, urdhëron bashkëpunëtorët më të ngushtë e më të afërt; shkrin, ngrin, shkatërron, risajon…edhe institucionet ligjërisht të pavarura prej tij. Me këto Edi Rama na kthen rreth 35 vite më parë, duke na kujtuar largqoftin, Enver Hoxha apo paraardhësin e tij demokrat, Sali Berisha, i cili, në shumë raste përpiqej, qoftë edhe jo 100% me ndërgjegje e bindje, të ishte në dukje edhe ca kolegjial, tolerant, i dëgjueshëm, reflektues… Apo edhe “car” Putinin në Rusi dhe “sulltan” Erdoganin në Turqi…Kulmi ka arritur me vlerësimet dhe kundërvënien e tij fjalareske dhe policore ndaj protestave të opozitës dhe sidomos me këmbënguljen për ta çuar “popullin e majtë”, siç i ka cilësuar edhe Paskal Milo, si “dele” në qendrat e votimit më 30 qershor 2019. Nga çdo anë apo pikë që t’i vështrosh, këto do të jenë gjasme, farsa e palo zgjedhje; një skandal dhe turp elektoral; një njollë e fortë dhe vështirë e fshijshme dhe e harrueshme për ‘rilindjen” dhe PS-në, për historinë  rreth 78 vjeçare të së “majtës shqiptare”. Për t’i shmangur këto, socialistët e vërtetë kanë shansin t’i japin Edi Ramës  më 30 qershor mesazhin ”MJAFT!”. Boll na mashtrove, na turpërove në vend e në botë, na vodhe, na dogje 6 vite jetë dhe shanse të mira! Boll po e mplak dhe mpak Shqipërinë, duke na lënë ne prindërit të vetëm, duke u plakur pa fëmijët, që ikin nëpër botë, sepse këtu, ti nuk u siguron një vend pune, një pagë të mjaftueshme për jetë normale, siguri për jetën, si në shumicën e vendeve të Evropës! Ky mesazh mund t’i jepet atij fare thjeshtë e lehtë. Mjafton të mos shkohet  në “kazanët” e votimeve më 30 qershor, duke e lënë të vetëm, bashkë me gruan, “kukullat” që ka në ekipin e “rilindjes”, në qeveri dhe në “institucione të pavarura” për Kushtetutën, por jo për atë. Nga veprimet e tij nëpërmjet prokurorisë së përgjithshme “të pavarur”, Policisë së Shtetit apo të Sandër Lleshajt, sidomos gjatë dhjetëditëshit të dytë të qershorit 2019, lihet hapësirë e bollshme për të kuptuar dhe për t’u bindur se Edi Rama po e shtyn vendin drejt një 97-te të re apo të dytë. Në qoftë se në 97-ën e parë, ishte PS-ja në opozitë që kërkonte kolltukun e Aleksandër Meksit dhe të gjitha pushtetet e tjera “në duart e sovjetëve”, tani, pas 22 vitesh është PD-ja në opozitë që kërkon fronin e Edi Ramës dhe pushtetet që zotëron dhe telekomandon kryeministri, de facto shumë më “i tërbuar” se Sali Berisha më 1996-1997. Gjithsesi, në të dyja rastet, karriget, postet, privilegjet dhe përfitimet përrallore ngushtësisht individuale, familjare, ortakërore; partitë e tyre vihen mbi të gjitha, edhe mbi interesin e shumicës së qytetarëve, edhe mbi interesin e përgjithshëm, të sotëm e të nesërm, shtetëror dhe kombëtar.

Kryeministri Edi Rama, me plot veprime dhe mosveprime; me urdhra me gojë apo në formë vendimesh; me nëpërkëmbjen e PS-së, të pavarësisë së institucioneve juridikisht jopartiake apo të pavarura, jep shkas, arsye, fakte të përditshme për të menduar, deri në bindje, se ai ka si idhull “sulltan Erdoganin”, siç e emërton shumica e mediave në Evropën Perëndimore, në SHBA, Kanada e tj., apo po ecën me revan në rrugën e tij, të sulltanizimit në shekullin 21, në epokën e DEMOKRACISË. Takimet e tyre të “përzemërta”, zyrtare e jo protokollare, “vëllazëria” e tyre, përqafimet e tyre, kur nuk u ka ikur akoma të dyve edhe “era” e trupit të Aleksandër Vuçicit, marrëveshjet me firmat dhe vulat e Ramës dhe Erdoganit, japin mesazhin e qartë se “miqësia e tyre është trashur shumë”, pa përjashtuar edhe kapërcimin në “shkretëtirën e pafund e të begatë” të korrupsionit dypalësh apo shumëpalësh…”Binjakëria” Rama-Erdogan, në fushat  politike, partiake, qeverisëse, për nga mentaliteti, rrugët dhe format e mbajtjes së posteve dhe të pushteteve apo” plagjiatura” nga Edi Rama nga përvoja apo shembulli i Erdoganit, shprehen dhe gjenden lehtë kudo përreth. Ato janë konkretizuar edhe tek xhamitë e shumta, duke “harruar” se me to Shqipërisë i shtohet imazhi i një vendi islamik, “arsye” dhe sebep për shumicën e vendeve të BE-së për t’i thonë “JO”, ashtu si  Turqisë, edhe Shqipërisë dhe Kosovës … Ato janë të nënkuptueshme apo konkrete edhe në synimet dhe përpjekjet e tij të hapura e të mbuluara keq për të përqendruar në duart e veta individuale, familjare dhe ekipore sa më shumë pushtete, fuqi, pasuri…, për t’u bërë i pakundërshtueshëm, i padorëheqshëm, i parrëzueshëm në rrugë demokratike, me zgjedhje me të vërtetë të lira e të ndershme, ku vota nuk blihet dhe nuk vidhet, siç shprehet në “serialin” e përgjimeve të gazetës prestigjioze gjermane BILD.  Ashtu si Erdogani” edhe Edi Rama nuk ndien nevojën e autocensurës apo të vetëpërmbajtjes në ambiciet dhe përpjekjet për të “privatizuar”, si shumë nga pronat e tij të tundshme e të patundshme, PS-në, qeverinë, gjykatat, prokurorinë, KQZ-në…

Në qoftë se Erdogani arriti të bëhet ky që është, duke vendosur në Turqi juntë ushtarake e policore, që për llogari dhe në interesat e tij sajon edhe “grushte shteti” dhe burgos elitën intelektuale ushtarake, politike, akademike, mediatike, kulturore…, tek ne, Edi Rama po vrapon në të njëjtin drejtim dhe po ia arrin të njëjtit qëllim nëpërmjet  juntës policore! Ushtria, që  mund të bënte juntë dhe grushte shteti, si në Turqi, që do të na mbrojë nga armiqtë e jashtëm, është afro 3 herë më e vogël se policia e gjeneralit ushtarak Sandër Lleshaj, që do të na mbrojë nga …populli. E keni vënë re disa orë para protestave dhe gjatë tyre se sa shumë policë janë me dhe pa uniformë? Llogaritni edhe policitë bashkiake e të llojeve të tjera! Mos harroni edhe bollëkun e gazrave lotsjellës, të shkopinjve të gomës dhe egërsinë e plot policëve ndaj qytetarëve protestues në Tiranë, Kavajë, Shkodër, Burrel…! Tani gjykoni vetë për të nxjerrë përfundimin! Junta policore, si pjesë e një “diktature të rilindur”, nëse merr urdhër nga Zeusi, nga Luigji 14, nga Enveri i rilindur, nga ligji, “Maliqi”. Arta Marku…mund të bëjë si të dojë me qytetarin, vendin, pasuritë e tij…, me të sotmen dhe të ardhmen e të gjithëve. Por, edhe me liderët e opozitës, të cilët, largqoftë, mund të kenë fatin e opozitarëve të Putinit dhe të Erdoganit, çka  do të ishte si një fuçi me benzinë mbi  flakët e  para të 97-tës së dytë.

Burimi: http://www.gsh.al

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.