Turqia mbështet raportin e OKB-së lidhur me Vr.as.jen e Khashoggit

në kategorine Bota

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka thënë se mbështet fuqishëm rekomandimet e raportueses speciale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Agnes Callamard, kur është në pyetje zbardhja e vrasjes së gazetarit nga Arabia Saudite, Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu në rrjetet sociale ka shkruar rreth raportit të Callamard në lidhje me vrasjen e gazetarit nga Arabia Saudite, Jamal Khashoggi.

“Fuqishëm mbështesim rekomandimet e raportueses së posaçme të OKB-së Callamard për zbardhjen e vrasjes së Khashoggit dhe që fajtorët të përgjigjen”, ka shkruar Çavuşoğlu.

Agnes Callamard, raportuese e posaçme e OKB-së për ekzekutime jashtëgjyqësore, në raport thotë se ka gjetur “dëshmi të besueshme” për të hetuar më tej përgjegjësinë individuale të zyrtarëve të lartë të Arabisë Saudite në lidhje me vrasjen e Khashoggit, përfshirë edhe Princin e Kurorës, Mohammed Bin Salman.

Raporti kërkon nga Arabia Saudite që t’i kërkojë falje Turqisë për “keqpërdorimin e privilegjeve diplomatike dhe për shkeljen e ndalesës kundër përdorimit të dhunës eksteritoriale”, si dhe nxit hetime shtesë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Khashoggi u vra dhe u copëtua me datë 2 tetor të vitit të kaluar nga një grup i shtetasve të Arabisë Saudite menjëherë pasi hyri në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Zyrtarët e Arabisë Saudite më pas kanë pranuar se Khashoggi është vrarë dhe se nuk e ka braktisur konsullatën, siç pretendonin paraprakisht. Më pas kanë ngritur aktakuzë kundër 11 të dyshuarve për vrasjen, ndërsa prokuroria vendase kërkon shqiptimin e dënimeve me vdekje për 5 të akuzuar.



. . . .

Burimi: https://www.aa.com.tr/sq

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.