Rrugëzgjidhja e vetme është Kushtetuta dhe ligji

në kategorine Shqipëri

TIRANË, 19 qershor /MEDIAL/ Kryeministri Edi Rama i ftuar në studion e emisionit “Përballë” në RTSH deklaroi se rruga e vetme që ai njeh për të dalë nga situata aktuale politike është Kushtetuta dhe ligji.
I pyetur nga gazetari Dervishi nëse ngjarjet e fundit kanë tejkaluar edhe pritshmëritë e tij kur deklaroi se është gjithnjë “tre hapa para”, Kryeministri Rama tha se në “gjithçka po ndodh nuk ka asgjë surprizuese për mua”.
“E kam ditur me kohë e me vakt që ecuria e Reformës në Drejtësi do shoqërohej me përshkallëzim të politikës destruktive dhe e kam ditur që zgjedhjet që kemi do ishin preja e një përpjekjeje për të marrë peng procesin në funksion të marrjes peng të Shqipërisë, duke krijuar një imazh që mund të fusë në dilemë edhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, e jo më ata që janë vetvetiu skeptikë për zgjerimin e Europës, që e kanë peshqesh nga brenda Shqipërisë”, – theksoi Rama.
“Një proces i orkestruar për të transferuar krizën nga një krizë morale e brendshme e katër personave, në një krizë të vendit për hallin e këtyre katër individëve në radhë të parë. Rruga e vetme që njoh për të dalë nga kjo situatë është rruga e Kushtetutës dhe ligjit, këmbënguljes në këtë rrugë dhe përveç kësaj është një përballje e qartë mes atyre që duan ta kapërcejnë këtë fazë kur politikanët kanë votuar ligje dhe kanë qëndruar mbi to për interesa apo pazare të momentit të fundit dhe nga ana tjetër atyre që këmbëngulin që Shqipëria të qëndrojë këtu”, – tha Rama.
“Unë besoj që teoria ‘të ikë ky dhe zgjidhet kriza’ është e mjaftueshme për të kuptuar se nuk jam unë që duhet të ikë, po kjo frymë e politikës së vjetër të pengmarrjes”, – theksoi Kryeministri Rama. /j.p/
.

Burimi: http://ata.gov.al/ 

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.