Ja çka sekuestroi sot Prokuroria Speciale e Kosovës dhe ajo gjermane

në kategorine Kosovë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se në bazë të kërkesës për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare, Prokuroria Gjermane e Landit Saarland, bashkarisht me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, gjatë ditës së sotme kanë kryer bastisje në disa qendra të quajtura “Call Center” në qytetin e Prishtinës dhe të Ferizajt, me qëllim të zbulimit të fakteve dhe provave për vepra të mundshme penale.

Prokuroria e Landit Saarland të Gjermanisë, ka filluar hetimet në drejtim të veprës penale “Mashtrim” të Kodit Penal Gjerman.

Aksioni i njëjtë është duke u zhvilluar në disa shtete të ndryshme të Evropës, pjesë e së cilës është edhe Kosova.

Prokuroria Speciale e Kosovës, njofton se nëse zbulohen faktet konkrete do të fillojë hetimet ndaj pronarëve të këtyre qendrave në territorin e Republikës së Kosovës, në drejtim të veprës penale “Shpërlarje parash”.

Gjatë aksionit të sotëm ka pasur sekuestrime të ndryshme si shënime kompjuterike, programe apo të dhëna të ndryshme që lidhen me rastin në fjalë, si dhe, vetura të llojeve të ndryshme. Po ashtu, ka ngrirje të xhirollogarive bankare të personave të ndryshëm.

Ndërkaq, deri më tani nuk ka persona të arrestuar.

Për detaje më të hollësishme do të njoftoheni pas përfundimit të operacionit gjatë ditëve në vijim. Vlen të theksohet se para dhe gjatë aksionit ka pasur një bashkëpunim dhe koordinim shumë të mirë mes dy prokurorive, asaj të Gjermanisë dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës, si dhe, të dy policive të këtyre dy shteteve.

Burimi: https://klankosova.tv/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.