Tre nënkryetarë të Bankës Botërore vijnë në Shkup

në kategorine Biznes/Ekonomi/Lajme

Tre nënkryetarë të grupacionit të Bankës Botërore do të marrin pjesë në Konstituencën e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që do të mbahet nga 21 deri më 22 qershor në Shkup. Bëhet fjalë për nënkryetarin e Bankës Botërore për Evropë dhe Azinë Qendrore, Siril Miler,. nënkryetarin për zhvillim njerëzor të Bankës Botërore Anet Diskon dhe nënkryetarin e Korporatës ndërkombëtare financiare (IFC) Georgina Bejker.

“Përndryshe, nuk është e zakonshme aq përfaqësues të lartë të Bankës Botërore të marrin pjesë në Konstituencë. Ky është konfirmim për progresin e reformave në financat publike, si dhe në bashkëpunimin e mirë të Qeverisë me Bankën Botërore”, theksojnë nga Ministria e Financave.

Përveç tre nënkryetarëve të Bankës Botërore, në kumtesë qëndron se, do të marrë pjesë edhe drejtori i FMN-së për Evropë Pol Tompsen. Në takimin në Konstituencën Holandë-Belgjikë të Grupacionit të Bankës Botërore dhe FMN-së do të marrin pjesë edhe ministra të financave dhe guvernatorë të bankave qendrore nga vendet e Konstituencës nga Holanda, Belgjika, BeH-ja, Bullgaria, Gjeorgjia, Armenia, Izraeli, Qiproja, Luksemburgu, Moldavia, Rumania, Ukraina, Kroacia dhe Mali i Zi.

Organizatorë të Konstituencës janë Ministria e Financave dhe Banka Popullore. Takimet paraqesin një lloj forumi në të cilin përfaqësuesit e lartë të bartësve të politikës fiskale dhe monetare në vendet anëtare këmbejnë mendime për politikat dhe programet e FMN-së dhe BB-së, si dhe për çështje tjera kyçe  për ekonominë evropiane dhe botërore.

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.