LDK: Qeveria po e zhvat buxhetin e Kosovës

në kategorine Kosovë

Vetëm shtatë ministri të Qeverisë së Kosovës kanë shpenzuar gjysmë milioni euro derivate të naftës dhe me shpenzime prin Ministria e Infrastrukturës. Duke u bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare gazeta “Zëri” ka kërkuar nga të gjitha ministritë e Qeverisë së Kosovës qasje në shpenzimet, të cilat i kanë bërë në derivate të naftës, por vetëm 1/3 e tyre ka pranuar t’i bëjë publike shpenzimet e tilla, përkatësisht vetëm shtatë ministri, shkruan Gazeta ‘Zëri.info”. 

Shpenzimet për karburante, të cilat bëhen vit pas viti nga institucionet publike në Kosovë, i ka kritikuar anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Naser Osmani.

Ai ka thënë se Qeveria në vend se të ruajë paranë publike, po e keqpërdor atë.

“Shpenzimet e Qeverisë janë në rritje drastike, për shkak të nevojave të veturave, për shkak të shpenzimeve të udhëtimit e për shkak të mëditjeve. Ne nuk mund të flasim fare për një kursim të parasë publike. Paraja publike po abuzohet e Qeveria nuk po është e vëmendshme. Ajo më shumë është keqpërdoruese sesa ruajtëse e këtyre mjeteve”, ka thënë ai për “Zërin“.

Osmani ka thënë më tej se pasi t’i marrin raportet për shpenzimet që janë bërë deri më tani do të diskutojnë edhe për shpenzimet, që po bëhen për karburante.

“Është çështje, se çfarë politike po ndjek Qeveria, e cila ka të bëjë me kursimet. Njëra prej mundësive më të mira për të treguar menaxhimin e parasë publike janë kursimet nga udhëtimet zyrtare e nga shpenzimet e karburantit. Qeveritë e mëdha me numër kaq të madh të dikastereve e të zëvendësministrave është vështirë të menaxhohen, prandaj nuk ka vëmendje ndaj shpenzimeve. Ne do ta diskutojmë kur të vijë raporti dhe do të flasim për çështjen e karburanteve e sidomos për pjesën e shpenzimeve të rezervës, që është në kuadër të kryeministrit”, ka shtuar ai. 

Burimi: http://kosova.info

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.