Incidenti në Gjirin e Omanit, Trump fajëson Iranin

në kategorine Bota

Lidhur me incidentin në Gjirin e Omanit ka reaguar të premten presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka fajësuar Iranin. Ndërkohë, në reagimin e tij presidenti iranian i ka konsideruar Shtetet e Bashkuara rrezik për stabilitetin rajonal dhe ka kërkuar forcimin e aleancës me Rusinë.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pas incidentit në Gjirin e Omanit thellohen nga ora në orë. Pas sekretarit të Shtetit, lidhur me shpërthimin që përfshiu dy anije-cisternë ka reaguar vetë presidenti Donald Trump, që ka fajësuar Republikën Islamike për ngjarjen.

I pyetur nga mediat se si synon të reagojë ndaj Teheranit në mënyrë që episode të tilla të mos përsëriten, Trump është përgjigjur duke thënë: “Do të shohim ç’do të ndodhë”.

Megjithatë, Trump shtoi se është i hapur për negociata me Iranin.

“Ne duam që ata të kthehen në tryezën e bisedimeve. Unë jam gati kur të jenë gati edhe ata”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar megjithatë se nuk ka ndërmend të ngutet.

Ndërkohë, lidhur me ngjarjen reagoi edhe presidenti iranian Hasan Ruhani, i cili tha se në kushtet e presioneve të jashtme dhe sanksioneve është e nevojshme të forcohen lidhjet mes Rusisë dhe Iranit. Këtë deklaratë Ruhani e bëri gjatë një takimi me liderin e Kremlinit, Vladimir Putin në kuadër të një samiti që po zhvillohet në Kirgizstan.

Administrata amerikane, duke përdorur instrumentet e saj ekonomike, financiare dhe ushtarake ka ndërmarrë një politikë agresive duke u kthyer në një kërcënim serioz për stabilitetin e rajonit dhe botës”, deklaroi Ruhani.

Ai shtoi se marrëveshja bërthamore e arritur me administratën amerikane parardhëse tregon se, nëse ka vullnet politik problemet mund të zgjidhen./ABC News Albania 24/7

 

Burimi: http://abcnews.al/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.