Shfrytëzim gjysmak i të hollave europiane

në kategorine Biznes/Ekonomi/Maqedoni

Biznesi, por edhe institucionet e ndryshme në Maqedoninë e Veriut nuk mund të lavdërohen me shfrytëzim të madh të fondeve të ndryshme evropiane. Këtë e dëshmojnë edhe raportet evropiane që tregojnë përdorimin gjysmak të parave evropiane në shtet. Nga 641 milionë euro të IPA 1, deri tani janë shfrytëzuar afër 300 milionë euro, ndërsa nga IPA 2 janë shfrytëzuar vetëm 151 milionë euro nga 362 milionë euro, shkruan gazeta KOHA. Njohësit e kësaj problematike thonë se kapacitetet e dobëta administrative, si dhe mungesa e një përgatitje të mirëfilltë dhe me kohë, janë shkaqet kryesore të shfrytëzimit të pamjaftueshëm të fondeve evropiane.

“Një nga shkaqet për këtë është edhe pamundësia që të mbahen kuadrot që janë trajnuar për thithjen e këtyre fondeve, si dhe numri i lartë i lëshimit të vendeve të punës të kuadrove që janë të specializuar për këtë gjë. Gjithashtu ka mungesë të programeve kombëtare që nuk janë të gatshme që menjëherë të shfrytëzojnë mjetet IPA, ndërsa probleme ka edhe me dokumentacionin teknik, me përgatitjen e projekteve e kështu me radhë”, thotë Aleksandar Kolekeski nga “Evrotink”.

PROCEDURAT E GJATA DHE DOKUMENTACIONI VOLUMINOZ

Në ndërkohë, analizat e Odës Ekonomike të Maqedonisë, tregojnë se edhe biznesi dobët shfrytëzon të hollat evropiane, ku vetëm në programin “Horizonit 20-20”, në shtatë vitet e kaluara janë tërhequr vetëm afër 7 milionë euro. Nga atje thonë se kompanitë vendore nuk duhet të frikësohen nga procedurat e gjata dhe dokumentacioni voluminoz, por apelojnë që biznesi vendor të aplikojë duke fituar përvojë për periudhën e ardhshme, kur si shtet do të kemi më shumë mjete nga fonde të ndryshme.

“Kushtet janë të njëjta për të gjitha shtetet evropiane, megjithatë kompanitë vendore duhet ti pranojnë ato, të ndërtojnë kapacitete, të fitojnë dituri dhe shprehi duke aplikuar më shpesh me projekte si në mënyrë të pavarur ashtu edhe me partnerë të ndryshëm”, thotë Jadranka Arizankovska nga Oda Ekonomike. Sipas saj, shteti duhet të mendojë edhe për formimin e Fondit garantues që do të lehtësojë tërheqjen e këtyre mjeteve, duke mbështetur biznesin që më lehtë të aplikojë me projekte të ndryshme, duke marrë parasysh se koofinancimi për sektorin privat i fondeve evropiane lëviz prej 50 deri 70 për qind. Nga ana tjetër, Ljuba Pavlova, drejtoreshë e Agjencisë për zhvillim rajonal nga Bratisllava, thotë se Maqedonia është në fillimin e ndërtimit të kapaciteteve për të ardhur më lehtë deri tek fondet evropiane. “BE ka shumë të holla… duhet të dihet se si të shfrytëzohen. Njëherazi Maqedonia ka nevojë për këto mjete, andaj nevojitet që edhe organizatat joqeveritare, komunat, si dhe administrata shtetërore të dinë të përgatisin projekte të mira. Nevojitet të ndryshohet edhe mënyra e të menduarit dhe të kuptohet se bëhet fjalë për nevojat e vërteta të qytetarëve, andaj nevojitet të punohet në projekte të tilla që do ti përgjigjen nevojave reale të tyre”, thotë ajo. Sipas saj, ekzistojnë fonde të ndryshme që mund të përmirësojnë ekonominë në shtet, si dhe të hapin vende të reja pune duke përmirësuar edhe shkathtësitë e të papunëve.

“Pa ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme nuk do të mund ti shfrytëzoni këto të holla që si proces do të shkojë në dëm të qytetarëve, për shkak se vendit i nevojitet të holla për infrastrukturë, burime njerëzore, ulje të papunësisë dhe përgatitje të shtetit për anëtarësim në BE. Pra, nëse nuk keni vazhdimësi në punë dhe kuadro të përgatitura , këto të holla do të shkojnë tek tjetërkush dhe ju nuk do të mund ti shfrytëzoni”, thotë Pavlova. Ndryshe, pesë janë komponentat sipas të cilave ndahen fondet evropiane dhe atë: ndihmë për tranzicion dhe mbindërtim institucional, bashkëpunim tej kufitar, zhvillim rajonal, zhvillim i burimeve njerëzore dhe zhvillim rural.

IPARD 2 PËR BUJQËSI MODERNE

Maqedonia nga IPARD 2, deri në vitin 2023 mund të shfrytëzojë mbi 80 milion euro prej të cilave 60 milion euro janë me kofinancim evropian dhe 20 milion euro janë përkrahje qeveritare me të cilat bujqësia vendore në vitet e ardhshme duhet të përmirësojë cilësinë e prodhimtarisë si dhe ti afrohet standardeve të Bashkimit Evropian. Me fjalë të tjera, mjetet e IPARD-it synojnë ndër të tjerash rritjen e cilësisë së prodhimtarisë bujqësore dhe konkurrencës së saj në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, përmirësimin e cilësisë së jetës në mjediset rurale, hapjen e vendeve të reja të punës dhe projekte të tjera. Nga Ministria e Bujqësisë thonë se vetëm sivjet, vlera e këtij fondit është afër 25 milionë euro për të cilin do të ketë disa thirrje publike. Njëherazi nga ky dikaster thonë se presin shfrytëzimin maksimal të mjeteve falë angazhimit gjithëpërfshirës ngjashëm me thirrjen e parë ku me një përkushtim të madh u nënshkruan 932 kontrata të vlefshme 18 milionë euro. (koha.mk)

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.