Vdes legjenda e Formula 1, Niki Lauda

në kategorine Sport

Tri-herë kampioni botëror i Formula 1, Niki Lauda, ka vdekur në moshën 70-vjeçare.

Austriaku legjendar, njëri ndër personalitetet më të famshme
në garat e veturave, e mori titullin e kampionit botëror me Ferrarin në vitet
1975 dhe 1977, si dhe McLarenin në vitin 1984, transmeton Gazeta Express.

Për shumë njerëz, ai do të kujtohet për rikuperimin e tij të
jashtëzakonshëm dhe kthimin në gara pasi ishte djegur rëndë në një përplasje
gjatë Grand Prixit në Gjermani, në vitin 1976.

Lauda, i cili e kishte bërë transplantimin e mushkërive në
gusht, ndërroi jetë të hënën, në mënyrë paqësore, ka thënë familja e tij.

Pas karrierës së tij, ai u bëri njëri ndër vozitësit më të
famshëm dhe, së fundi, u bë drejtor ekzekutiv për ekipin e Mercedesit në
Formula 1. Ai kishte qeni personi kryesor që e kishte sjellë vozitësin
britanik, Lewis Hamiltonin, i cili është shpallur pesë herë kampion botëror.

“Arritjet e tij unike si atlet dhe si sipërmarrës, janë dhe
do të mbeten të paharrueshme. Ndershmëria dhe kuraja e tij do të mbeten
shembull për të gjithë të tjerët”, shkruhet në deklaratën e familjes së tij.

Më 1 gusht të vitit 1976, një vit pasi e kishte fituar
titullin e tij të parë, ai pësoi djegie të shkallës së tretë në kokë dhe fytyrë,
si dhe kishte thithur gazra toksikë që ia dëmtuan mushkëritë, pasi vetura e tij
kishte shpërthyer në flakë në Nurburgring.

Mjekët nuk i kishin dhënë shumë shpresa familjes në spital,
mirëpo ai e kishte bërë një rikuperim të mrekullueshëm dhe u kthye në garë,
ende i lidhur me fasha, vetëm 40 ditë më vonë.

Ai ka bërë transplantim veshkësh dy herë. Herën e dytë, në
vitin 2005, veshka ishte dhuruar nga atëherë e dashura e tij, Birgit Wetzinger,
një ish-stjuardesë me të cilën u martua në vitin 2008.

Përveç dy binjakëve të këtyre të dyve, një vajzë dhe një
djalë të lindur në vitin 2009, Luada i ka edhe tre djem të tjerë nga lidhje të
tjera.

Në janar, Lauda i kaloi dhjetë ditë në spital pasi ishte i sëmurë
me “influenza”. /Gazeta Express/

Burimi: gazetaexpress.com

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.