Seanca të reja për “Treqind”, “Titanik” dhe “Tarifa” të PSP-së

në kategorine Maqedoni

Shkup, 21 maj 2019 (MEDIAL) – Në Gjykatën penale në Shkup për sot janë caktuar seanca për lëndët e Prokurorisë Speciale Publike “Treqind”, “Titanik” dhe “Tarifa”.

Në “Treqind” akuzohet ish-ndihmës ministri i Punëve të Brendshme Gjoko Popovski për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë furnizimit të 300 automjeteve për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjykatësja Dobrila Kacarska në muajin maj të vitit të kaluar e dënoi Popovskin me nëntë vjet dënim me burg, ndërsa në muajin dhjetor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit e shfuqizoi aktvendimin e shkallës së parë për rastin dhe e ktheu në gjykim të sërishëm.

Sipas aktakuzës së PSP-së, Popovski nuk i ka respektuar rregullat ligjore për furnizim publik dhe e ka dëmtuar buxhetin për 453.570 euro.

Rasti “Titanik” gjendet në procedurë dëshmuese dhe nxirren prova materiale të propozuara nga PSP-ja. Bëhet fjalë për rreth 5.900 prova materiale. Prezantohen dokumente personale, si kërkesa për dhënien e letërnjoftimeve, deklarata për persona të plotfuqishëm, pjesë nga llogaritë, vërtetime dhe dokumente tjera.

Përveç ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili është në arrati, në “Titanik” akuzohen edhe Kirill Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Biljana Brishkoska Boshkovski, si dhe Ilija Dimovski, Munir Pepiç, Edmond Temelko, Leko Ristovski, Kiril Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeki, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov , Dalibor Aleskoviç dhe Lenka Rashajkovska.

Ata akuzohen shoqërim kriminel, shkelje të së drejtës së votës, shkelje të të drejtës së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve, shkatërrim të materialit zgjedhor si dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës.

Në gjykatë sot duhet të mbahet seancë edhe për lëndën “Tarifa” në të cilën akuzohen ish-drejtori i përgjithshëm i SHA ELEM, Dejan Boshkovski dhe edhe dy persona të tjerë për furnizim kundër ligjor të sistemit softuerik për nevojat e kompanisë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë” në vlerë prej rreth katër milionë euro.

Sipas PSP-së, të akuzuarit e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe autorizimin në procedurën për furnizimin publik të softuerit – “ERP sistem”. Të akuzuarit me moskryerjen e detyrës zyrtare kanë mundësuar që personi juridik – konzorcium, i cili më vonë e ka marrë tenderin, të kualifikohet në fazën e dytë të negociimit gjatë furnizimit publik, edhe nuk ka pasur dokumentacion komplet të dorëzuar. .

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.