Paralajmërime të reja optimiste nga Brukseli për vendim për fillimin e negociatave në qershor

në kategorine Maqedoni

Shkup, 21 maj 2019 (MEDIAL) – Nga Brukseli arritën paralajmërime të reja optimiste se Maqedonia e Veriut në qershor do të marrë vendim për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, dhe se në fund të vitit do të hapen edhe kapitujt e parë.

Eurokomisari për Zgjerim Johanes Han, krahas pritjes se vendi do të marrë vendim për fillimin e negociatave me Unionin, në Forumin Ekonomik të Vjenës “Perspektivat e reja për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha se vendi është i vetmi në Ballkanin Perëndimor i cili nuk ka konteste me fqinjët dhe është politikisht më stabil në rajon.

Theksoi se Maqedonia e Veriut është shembull pozitiv se si munden të zgjidhen problemet dhe inkurajim për tejkalimin edhe të kontesteve të tjera veçanërisht mes Beogradit dhe Prishtinës.

Bindje se Komisioni Evropian në Raportin do të rekomandojë hapjen e negociatave, shprehu edhe euroambasadori në vend Samuel Zhbogar.

“Unë jam i bindur se raporti do të rekomandojë hapjen e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha dje euroambasadori Samuel Zhbogar, duke u përgjigjur në pyetjen e MEDIAL-s se a do të marrë vendi raport pozitiv për negociata.

Shtoi se në Raportin për gjendjet në vend, do të reflektohet progresi i madh i cili ishte arritur në shtet vitin e kaluar.

“Një vendim i tillë presim që të ndodhë në qershor dhe shpresojmë se pikërisht kjo do të ndodhë. Vlerësoj se vendi në vitin e kaluar me të vërtetë e tregoi përkushtimin e tij për Bashkimin Evropian dhe për reformat. U sollën disa vendime të rëndësishme edhe opozita edhe Qeveria punojnë në ligje shumë të rëndësishme dhe vlerësoj se keni me çka të mburreni dhe shpresoj se, gjithashtu, do të jeni shembull në rajon për vend i cili është i përkushtuar në reforma”, tha dje Zhbogar.

Edhe kryeministri Zaev, i cili mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, është optimist se Komisioni Evropian do të sjellë vendim për fillimin e negociatave. Ai në Vjenë realizoi takim me eurokomisarin Han.

“Në takimin bilateral me komisarin Han, biseduam për pritjet për këtë verë, qershor-korrik, për vendimin përfundimtar të Bashkimit Evropian që duhet të nënkuptojë vendim përfundimtar për marrjen e datës për negociatat “, tha Zaev.

Kryeministri theksoi se është optimist, dhe se duhet të pritet që të përfundojnë eurozgjedhjet, që të mundet që edhe më qartë t’i dimë qëndrimet e Francës dhe të Holandës.

“Kancelarja Merkel është pozitive. Besojmë se do të lëvizin proceset ashtu siç presim ne sepse me të vërtetë e meritojmë. Kemi bërë shumë, të gjithë e konfirmojnë këtë dhe përfundimisht meritojmë fidbek pozitiv nga Komisioni Evropian dhe nga Bashkimi Evropian përmes vendeve anëtare për marrjen e datës për negociata”, theksoi Zaev.

Kryeministri Zaev në takimin me Hanin, nënvizoi se fillimi i negociatave për hyrje në BE është garancia e vetme se vendi edhe më tutje do të jetë stabil, se do të udhëheq politikë përfshirëse dhe se do të vazhdojnë proceset reformuese në Maqedoninë e Veriut. fc/ 

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.