(VIDEO) “FSHESA”, AHMETI: Akoma nuk është biseduar, por asnjëri nuk është i përjetshëm

në kategorine Maqedoni/Video

“Askush nuk është i përjetshëm në vendin e tij të punës dhe secili mund të zëvendësohet”. Kështu deklaroi kreu i BDI-së Ali Ahmeti, në lidhje me “fshesën” e paralajmëruar nga Kryeministri Zoran Zaev.

Gjithçka pritet të vendoset në takimin Ahmeti-Zaev, takim të cilin po e presin të gjithë, për të parë se kush do të përfshihet në rikonstruimin e qeverisë. Lideri i BDI-së tha se po e pret Kryeministrin të kthehet në vend dhe më pas takohen.

“Akoma nuk është biseduar, por as edhe i përjetshëm asnjëri. Funksionet shkojnë e vijnë, por misionet mbesin me jetë dhe pjesa dërmuese e bashkëpunëtoreve të mijë janë misionar të shkëlqyeshëm”, deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Kryetari i RDK-së Vesel Memedi është i bindur se kuadrot e partisë së tij nuk do të përfshihen në “fshesën” e Zaevit. Sipas tij këto janë dezinformata të dala nga qarqe politike.

“RDK dhe Vesel Memedi, do të vazhdojnë edhe më tutje të luajnë këtë rolë konstruktiv dhe mjaft serioz në Qeveri dhe më tutje. Dezinformata e plasuar kohëve të fundit për fshesë, duke përfshirë edhe RDK , Vesel Memedin dhe ministrin e saj Suhej Fazliu, burimin e kanë tek shtabi i këshillit mbi partiak. Këta njerëz dhe ky shtab, kanë bërë lojëra mjaft të rrezikshme me ish pushtetin e kaluar dhe pas dështimit në politikë dhe vazhduan edhe me lojën e radhës se do të përkrahin Qeverinë pa asnjë kusht”, u shpreh Vesel Memedi, kryetar i RDK-së.

Rikonstruimi i Qeverisë pritet të ndodhë në fillim të qershorit. Do të përfshihen një pjesë e ministrave, ndërsa në fund të qershorit do të ketë ndryshime vertikale edhe për një pjesë të funksionarëve. Zaev ka koncept për ndryshime, por nuk e di numrin e saktë të ministrave që do të ndryshohen.

/TV21/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.