Perspektiva ekonomike e Kosovës, Universiteti Popullor Shqiptar bashkon në Gjenevë shqiptarë dhe zviceranë

në kategorine Shqipëri

TIRANË, 20 maj /MEDIAL/ – Universiteti Popullor Shqiptar (UPA) në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Gjenevës (AEAG) me ndihmën e Ministrisë së Diasporës dhe rrjetin e shoqatave shqiptaro-zvicerane organizojnë mbrëmjen “Kosova Sot” ku do të diskutohet për perspektivën ekonomike, turistike dhe investimet në aspektin dypalësh Kosovë-Zvicër.
Në këtë mbrëmje do të jenë të pranishëm ministri i Zhvillimit Ekonomik të Gjenevës, Pierre Maudet bashkë me përfaqësuesen e qeverisë së Kosovës, Shyhrete Kastrati.
I themeluar më 1996, Universiteti Popullor Shqiptar në Gjenevë të Zvicrës vazhdon të jetë një vatër e diturisë për qindra shqiptarë dhe të huaj që jetojnë dhe veprojnë në këtë qytet.
UPSH që drejtohet nga Albana Krasniqi-Malaj, vazhdimisht organizon aktivitete me fokus integrimin e komunitetit shqiptar në jetën sociale të Gjenevës, por njëkohësisht është edhe promovuese e frankofonisë me një impakt shumë të gjerë sidomos mes brezave të rinj të emigrantëve shqiptarofone dhe kombësive të tjera që jetojnë në kantonin e Gjenevës.
Përmes UPSH, Krasniqi ofron një hapësirë e cila mundëson e stimulon projektet integruese duke shërbyer si një platformë debatesh, takimesh, këmbimesh e refleksionesh ndërkomunitare.
I tillë është edhe ky event i cili do të mbahet më 7 qershor, në kuadër të së cilit do të zhvillohet edhe një tavolinë e rrumbullakët ku do të bisedohet për rritjen e shkëmbimeve dypalëshe mes Zvicrës dhe Kosovës ku do të jenë të pranishme personalitete si Stefan Sarkany, president i dhomës ekonomike dhe tregtare Zvicër-Kosovë, Rexhep Gashi, i rrjetit të sipërmarrësve shqiptarë në Zvicër, M. Shala, pronari i rrjetit të supermarketeve Shala, Edon Duraku, përfaqësues i AEAGE-së, Leonard Ferati, president i shoqatës bamirëse “CreAction” në Gjenevë si dhe Altin Marku, ideues i projektit televiziv “Fol Shqip Show”.
/G.S/

.

Burimi: http://ata.gov.al/ 

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.