Pension suplementar për metalurgët, minatorët e naftëtarët, Sala: Kontribut i shtetit për përmirësimin e jetës së tyre

në kategorine Shqipëri

TIRANË, 20 maj /MEDIAL/- 23400 punonjës të industrisë metalurgjike, minierave e naftës dhe gazit, përfitojnë në total 140 milionë dollarë, pension suplementar nga buxheti i shtetit për një periudhë 10-vjeçare.
Bashkim Sala, këshilltar në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, u shpreh sot në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (MEDIAL) se, projekti i ri që po diskutohet në Komisionet e Kuvendit, për trajtimin financiar të punonjësve që kanë punuar në miniera në industrinë e naftës dhe gazit dhe në metalurgji, konsiston në një trajtim financiar suplementar të tyre, përveç pensionit që ata e marrin kontributiv të zakonshëm siç e marrin të gjithë qytetarët e tjerë.
“Këto kategori punonjësish do të marrin një shtesë pensioni për hir të vështirësive në sektorët që ata kanë punuar dhe këtë pension suplementar do ta gëzojnë përgjithmonë”- tha Sala.
Sipas tij, qeveria ka përllogaritur faturën financiare të pensionit suplementar, prej së cilët përfitojnë 13300 minatorë, 7600 naftëtarë dhe 2500 metalurgë në total 23400 persona me një vlerë financiare 14 milionë dollarë në vit ose për 10 vjet që skema shuhet në shumën  140 milionë dollarë që janë nga buxheti i shtetit dhe jo si kontribut që kanë dhënë ata.
“Pensioni suplementar është një kontribut që shteti iu jep këtyre punonjësve për përmirësimin e jetës së tyre”, – tha Sala. /e.xh/j.p/
.

Burimi: http://ata.gov.al/ 

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.