Mat, nuk miratohet kërkesa e MTM për heqje nga fondi pyjor në Qashtamë

në kategorine Shqipëri

Këshilli i Bashkisë së Matit vendosi të mos miratojë heqjen nga fondi pyjor e kollusor të një sipërfaqeje në vendin e quajtur Qaf-shtamë, për shfrytëzim të mineralit gëlqeror të mermerizuar. Dhjetra banorë të Njësisë Administrative Komsi në Bashkinë e Matit, kishin kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme lejen e dhënë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke pretenduar që ky aktivitet do të shkaktonte dëme të mëdha në mjedis.

 

Banorët ishin pjesmarrës edhe në mbledhjen e kësaj të Hëne në Këshillin e Bashkisë Mat, ku ndoqën nga afër shqyrtimin e kërkesës për heqje nga fondi pyjor e kollusor të sipërfaqes prej 0.56 hektar në qafshtamë. Banorët i argumentuan këshillit pos dëmeve që sipas tyre i shkaktohen zonës edhe mungesën e transparencës dhe moszhvillimin e plotë me të gjitha fshatrat të dëgjesave publike nga ana e firmës.

 

Këshilltarët morën në konsideratë pretendimet e banorëve të cilët ishin të pranishëm të shumtë në numër. Nisur nga kjo, këshilli vendosi me vetëm 2 vota abstenim të mos miratojë kërkesën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për heqje nga fondi pyjor e kollusor të sipërfaqes prej 0.56 hektar për shfrytëzim minerali gëlqeror të mermerizuar në objektin Qashtamë sipas lejes minerare nr.1826, datë 12.12.2016 të miratuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ish leja minerare nr.361. Këshilli e argumentoi këtë me mungesën e zhvillimit të dëgjesave publike me btë gjithë banorët e Njësisë Administrative Komsi. Në relacionin shoqërues të vendimit, Këshilli shpjegoi që ky duhet të ishte një ndër kushtet e plotësuara nga ana e firmës që kërkon të shrytëzojë mineralin gëlqeror të mermerizuar.

 

Këshilli më pas diskutoi dhe miratoi edhe 12 pika të tjera në rendin e ditës.

Burimi: https://www.vizionplus.tv/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.