Të talentuarit

në kategorine Opinione

Për ta flasim jo pak. I çmojmë nëpër biseda dhe dëshirojmë të kemi sa më shumë të tillë në shkencë, kulturë, ekonomi dhe udhëheqje. Po çfarë i dallon të talentuarit? Si mund të identifikohen? Çfarë bëjnë të tjerët për t’i edukuar? Çfarë mund të bëhet më mirë për të talentuarit tanë?





  1. Kuptimi i termit. Të përcaktosh një subjekt (fëmijë apo të ri) si të talentuar, është e vështirë, sepse jo të gjithë e përcaktojnë në të njëjtën mënyrë “të talentuarin”. Megjithatë, psikologët dhe edukatorët kanë hulumtuar gjatë viteve subjekte të talentuar, për të siguruar një profil të tipareve të tyre. Shumë studiues pranojnë se ky term identifikon subjektin që, fillimisht, spikat për interesat që shpreh, ritmin me të cilin përparon, thellësinë e të kuptuarit, cilësinë e demonstrimit etj. Për të vijuar më pas, me arritjet e tij, krahasuar me moshatarët, në fusha të tilla si shkenca, teknologjia, inxhinieria, matematika. Nëse dallimi është i dukshëm, mund të flitet për aftësi të theksuar ose për shumë të talentuar (p.sh., një 3 vjeçar mund të lexojë si një fëmijë në klasën e tretë ose një 9 vjeçar mund të luajë në piano si një 18 vjeçar që ka studiuar vite me radhë). Sipas të dhënave statistikore, në grupin e shumë të talentuarve ose tejet të talentuarve bëjnë pjesë rreth 1% e subjekteve (janë ata që priret të bëhen nesër shkencëtarë dhe akademikë të shquar, gjyqtarë, parlamentarë dhe miliarderë). Të talentuarit, shpesh, tërheqin vëmendjen që në shtëpi dhe, më vonë, në shkollë, nëpërmjet rezultateve dhe sjelljeve. Ndërkaq, nuk është e lehtë t’i identifikosh, ngaqë ata, jo detyrimisht, kanë rezultate të larta në vijimësi. Sikundër, rezultatet mbi mesataren nuk mund t’i referohen doemos një të talentuari. Nga ana tjetër, meqë subjektet ndryshojnë në aftësitë dhe arritjet e tyre, një i tillë, që nuk shfaq talent në një fushë si matematika, p.sh., mund të jetë i talentuar në një fushë tjetër, të themi muzika.
  2. Identifikimi. Për të gjykuar rreth talentit të subjektit, përdoren teste të ndryshe nga psikologë me kualifikim të lartë, në qendra të specializuara. Një syresh është testi i koeficientit të inteligjencës (IQ) që shprehet nëpërmjet raportit të moshës mendore me moshën kronologjike. Shumica e njerëzve vendosen mes koeficienteve 85 dhe 115, me normë absolute 100. Në varësi të testit që përdoret, subjektet me aftësi të zhvilluara e kanë IQ nga 115 në 129; me talent të moderuar nga 130 në 144; shumë të talentuar nga 145 në 159; tejet të talentuar nga 160 në 179; me një talent të jashtëzakonshëm mbi 180.

Në vendet që marrin masa të posaçme për edukimin e të talentuarve, metoda mbizotëruese e përzgjedhjes zhvillohet nga testet me shkrim. Edhe pse testet standarde IQ janë mjeti më i zakonshëm i identifikimit të tyre, përdoren gjithashtu teste të tjera të inteligjencës dhe kreativitetit si “testet WISC-IV”, testet “CogAT” etj, të cilët edhe psikologet tona shkollore besohet se i njohin. Testet ndryshojnë shumë në vlefshmërinë dhe besueshmërinë e tyre, për moshat dhe kulturat e ndryshme; ndaj, procedurat e identifikimit marrin parasysh një sërë sjelljesh që mund të jenë shenja të talentit.

Një Ilustrim. Po sjellim rastin e një djali 12-vjeçar me emrin Xhozef Bejts (Joseph Bates) nga Baltimora – ShBA. Ai përparonte shumë më shpejt se shokët e klasës në matematikë, ndaj prindërit e regjistruan në një kurs vere kompjuteri. Duke qëndruar me studentë më të rritur në klasë, Xhozefi u mësoi atyre gjuhën e programimit FORTRAN. I pasigurt se çfarë duhet të bënte me djalin, instruktori i kompjuterit, në verën e vitit 1968, e prezantoi atë tek Julian Stanley, një studiues shumë i njohur në psikometri – studimi i performancës njohëse – në universitetin “J. Hopkins”. Për të kuptuar më shumë për talentin e Xhozefit, studiuesi i dha atij një bateri testesh SAT që përdoreshin për pranimet e nxënësve 16 – 18 vjeçarë në Kolegjet e ShBA. Rezultati i Xhozefit ishte shumë më i lartë se pragu i pranimit në atë universitet. Kjo bëri që Stanley të kërkonte një shkollë të mesme lokale ku djali të merrte mësime të thelluara në matematikë dhe shkenca. Kur ky plan dështoi, studiuesi i bindi prindërit ta regjistronin Xhozefin në universitet. Kur filloi studimet, ai ishte 13 vjeç dhe i përfundoi ato në shkencat kompjuterike në moshën 17 vjeçare.

  1. Edukimi i talenteve në botë. Programet për edukimin e të talentuarve hulumtojnë dhe zhvillojnë në mënyrë sistematike dhe strategjike potencialin e tyre. Subjekteve të talentuar u sigurohen mundësi për t’u arsimuar në nivele të përshtatshme, në mjedise mësimore fleksibël. Kështu, p.sh., parimet udhëzuese për arsimim e të talentuarve në Hong Kong janë: a) identifikimi i të talentuarve të përfshijë gjerësinë e inteligjencës së shumëfishtë; b) të gjitha shkollat të kujdesen për të zhvilluar inteligjenca e shumëfishtë për të gjithë nxënësit; c) nevojat e të talentuarve të plotësohen më së miri në shkollat ​​e tyre, duke ofruar mundësi sfiduese për ta; d) shkollat ​​të njohin dhe përmbushin nevojat shoqërore, emocionale dhe intelektuale të fëmijëve të talentuar. Bazuar në këto parime orientuese, në vitin 2000, u miratua korniza e edukimit me tri nivele. Nivelet 1 dhe 2 sigurohen nga puna e shkollës, ndërsa niveli 3 është përgjegjësi e Akademisë. Niveli 1 u shërben të gjithë subjekteve të shkollës, pavarësisht aftësisë. Niveli 2 ofrohet për 2-10% të grupit (subjekte të aftë), ndërsa niveli 3 ofrohet për 2% të grupit (subjekte të talentuar).

Sot, në botë, programet për edukimin e të talentuarve përfshijnë praktika, procedura dhe teori speciale. Qasjet kryesore për edukimin formal të tyre janë pasurimi, përshpejtimi dhe diferencimi. Një program pasurimi, për një lëndë, ofron materiale shtesë, në kohën që subjekti ndjek të njëjtën klasë me bashkëmoshatarët. P. sh., pasi ka përfunduar punën normale mësimore, programi i pasuruar i ofron detaje shtesë për lëndën. Ndërsa, një program përshpejtimi mundëson që subjekti, pasi përfundon nxënien e një lënde brenda vitit mësimor, ndjek lëndën e klasës pasardhëse, edhe pse pjesa tjetër e klasës së tij ende punon në lëndën e parë. Ndërsa përshpejtimi radikal me dy ose më shumë vite është efektiv në aspektin akademik dhe shoqëror për shumë të talentuarit. Hulumtimet sugjerojnë që përshpejtimi mund të ndikojë fort pas diplomimit nga shkolla e mesme. Shumica e të talentuarve përfitojnë nga një kombinim i qasjeve në kohë të ndryshme, përmes programeve të diferencimit. Procesi i nxënies, metodat dhe materialet përshtaten me nevojat e secilit nxënës dhe, për shkakun që subjektet studiojnë me të tjerë të talentuar, secili është i motivuar të bëjë më të mirën. Fëmija që identifikohet me potencial të lartë njohës, pranohet në shkollë bazuar në moshën mendore dhe jo në moshën kronologjike.

Interesante dhe përvoja e Singaporit. Çdo vit, atje, 1% e subjekteve në vitin e tretë të shkollës fillore, sjellin në shtëpi një zarf të titulluar “Për shërbimin ndaj qeverisë”. Brenda është një ftesë për pjesëmarrjen në programin e edukimit të fëmijëve të talentuar. Nëse prindërit pranojnë që fëmijët të përfshihen në një program të veçantë edukimi, ata testohen në matematikë, anglisht dhe “aftësi të përgjithshme”. Singapori përdor teste të inteligjencës, me pragje të rrepta, për të identifikuar fëmijët me aftësi të lindura.

Në vende të tjera eksperimentohen dy mënyra kryesore pedagogjike. E para lidhet me mësuesit dhe psikologët që përdorin një gamë të gjerë metodash për të identifikuar fëmijët e talentuar, veçmas ata nga familjet e varfra. E dyta ka në fokus edukimin te fëmijët me aftësi të zhvilluara të tipareve të personalitetit të njerëzve të suksesshëm në një sërë disiplinash.

  1. Të talentuarit tanë. Si t’i identifikojmë në vendin tonë subjektet me potencial të lartë për përsosmëri? Si mund të ushqehet ky potencial dhe të rriten gjasat, që ata të ndikojnë dukshëm në sferat e shoqërisë tonë? Nisur nga gjendja, duket se përmirësimi kërkon ndryshime në kuadrin ligjor, përmes të cilëve të rritet mbështetja institucionale (nga akademia, institucionet arsimore dhe rekrutimi i specialistëve ekselentë për zhvillimin / ofrimin e programeve speciale) dhe të përsosen kompetencat profesionale (të komunitetit të psikologëve, veças të psikologeve shkollore) dhe të mbështete fort mësuesit e shquar) etj.

Sigurisht, nuk është e lehtë të gjesh qasje që funksionojnë për edukimin e të talentuarve, ca më e vështirë t’i zbatosh ato. Por, identifikimi i hershëm dhe edukimi special i të talentuarve tanë është burim i pashfrytëzuar, me potencial të madh për zhvillimin e shkencës, ekonomisë, artit dhe kulturës kombëtare. Ndaj, atë që nuk e dimë, mund ta mësojmë nga përvoja e vendeve që përparojnë në këtë aspekt. Ata ia dolën, pasi u investuan për edukimin e të talentuarve. Rikonceptuan bazat teorike dhe metodologjike të procesit të nxënies, reformuan kurrikulin dhe u dhanë jetë programeve speciale vetjake për nxënie, përmirësuan kompetencat profesionale të mësuesve / drejtuesve dhe sistemet e llogaridhënies. A mund të jetë ky një shteg për ndryshimin?

 

Tiranë, më 17/05/2019

Burimi: http://www.gsh.al

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.