‘Fshesë’ në Tiranë, Policia fundos 2 të rrezikshmit, 1 në kërkim

në kategorine Shqipëri

TIRANË

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Interpol Tirana ka  arrestuar  dje në një palestër një shtetas me origjinë nga Kosova, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasje në Gjermani.

Po gjatë operacionit të zhvilluar në Tiranë është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i një personi tjetër brenda banesës ku jetonte kosovari, ndërsa siç njofton policia  ai rezulton i dënuar më parë për shitje të drogave të forta në Zvicër.

Gjithashtu nga puna hetimore u shpall në kërkim edhe pronari i shtëpisë ku jetonte kosovari së bashku me 38-vjeçarin  A.S. Ende nuk ka të dhëna për lidhjen e tyre, ndërsa hetimet vijojnë intesivisht.

Detajet e operacionit:

Tjetër operacion për kapjen e personave shumë të kërkuar të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Finalizohet operacioni policor “Fitness” Operacioni nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Interpol Tirana.

Kapet dhe arrestohet një shtetas shumë i kërkuar nga drejtësia gjermane për “Vrasje me dashje”, i dënuar më parë në Gjermani për Vrasje mbetur në tentativë. Arrestohet edhe një shtetas tjetër për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, i dënuar më parë për shitje të drogave të forta në Zvicër. Shpallet në kërkim shtetasi që ju kishte lënë dy personave të arrestuar banesën e marrë me qera prej tij. Sekuestrohen drogë e armë zjarri.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, Seksioni i Kërkimit në Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale Speciale dhe Kërkimi, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim dhe me Interpol Tirana finalizuan operacionin policor “Fitness”

Si rezultat i operacionit në një palestër u bë e mundur kapja e personit shumë të kërkuar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shtetasit: Shkelqim Kastrati, 23 vjeç lindur në Gjermani dhe banues në Tiranë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Interpol Wiesbaden/Gjermani, pasi Gjykata e Villingen – Schwenningen, me datë 15.12.2017, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “Vrasje me dashje”, parashikuar nga Kodi Penal Gjerman. Maksimumi i denimit 15 vjet burg.

Gjithashtu gjatë operacionit, në banesën ku jetonte 23 vjeçari u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit : A.S, 38 vjeç banues në Shëngjergj Tiranë, i dënuar më parë për shitje të drogave të forta në Zvicër.

Nga kontrolli i banesës së përkohshme në rrugën e “Durrësit”, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri SIG-SAUER, me fishkekë që dyshohet se i përkiste 23 vjeçarit, Shkelqim Kastrati, si dhe 7 paketime me lëndë narkotike “Canabis Sativass”, që dyshohet se i përkiste shtetasit A.S.

Njekohësisht gjatë operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.Ll i cili kishte strehuar në banesën e marrë me qera prej tij, 23 vjeçarin Sh. Kastrati. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë për veprën penale, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

(n.m/BalkanWeb)

Burimi: https://www.balkanweb.com/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.