Meksikë, ekzekutohet gazetari i kronikës së zezë

në kategorine Bota

Një gazetar i kronikës së zezë është vrarë me armë zjarri në Meksikë, duke rënduar edhe më tej bilancin e reporterëve të vrarë që nga fillimi i vitit. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se pavarësisht ndërrimit të pushteteve Dhjetorin e kaluar, dhuna e karteleve kriminale nuk njeh ndalje.

Një gazetar i kronikës së zezë është qëlluar për vdekje në Meksikë, duke rritur numrin e reporterëve të vrarë gjatë qeverisjes së presidentit Manuel Lopez Obrador. Sipas mediave ndërkombëtare, trupi i Fransisko Romero, gazetar i një të përditshmeje dhe drejtor i një portali lajmesh u gjet jashtë një bari në Plaja del Karmen, një zonë turistike në shtetin Kuintana Ro.

Prokurorët vendas deklaruan përmes një komunikate se motivet e vrasjes së Romero janë të paraqrta, por po hetohet për zbardhjen e tyre. Së fundmi gazetari kishte raportuar për kërcënime të marra dhe kishte hyrë në një program shtetëror mbrojtjeje, por truprojat nuk i ishin caktuar ende.

Vendi ku ndodhi ngjarja, Plaja de Karmen ndodhet pranë zonës turistike të Kankunit, e frekuentuar shumë nga turistët e huaj, por dhe e kthyer në vitet e fundit në fushë beteje mes grupeve kriminale që duan të kontrollojnë xhiron e gjobëvënieve.

Sipas një shoqate meksikane për lirinë e shprehjes, Romero është gazetari i gjashtë që vritet që kur Lopez Obrador mori detyrën në fillim të Dhjetorit, me premtimin se do të frenonte dhunën e karteleve kriminale, që vitin e kaluar mori rreth 29 mijë jetë njerëzish. Por pavarësisht premtimit, që nga fillimi i 2019-s vrasjet po vijnë në rritje dhe kanë gjasa të kalojnë kuotën e vitit paraardhës./ABC News Albania 24/7

Burimi: http://abcnews.al/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.