Tregtarja e fotografive duhet të largohet menjëherë nga parlamenti

në kategorine Opinione

Kjo zonja jofisnike e pranoi se u shfaq në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe e terrorizoi opinionin me një fotografi filmash. Shefi i saj, i trembur si lepur që dështoi një sajesë e radhës e nëntokës, tha me gjakftohtësi mizore se duhet ta kalojmë këtë shqetësim «me besim». Me besim ndaj kujt? Besim ndaj mashtruesve ordinerë? E tani? Tani t’i kthehemi përditshmërisë? Llafeve për arushën dhe fierin e njomë në malet e Kosovës? Ky terror psikik ndaj viktimave dhe ndaj opinionit nuk duhet të kalojë pa konsekuenca.





Tregtarja e fotografive duhet të largohet menjëherë nga parlamenti. Partia e saj duhet t’i kërkojë falje opinionit. Shefi i kësaj partie të zhytur në moçal duhet të kërkojë falje dhe të mos vazhdojë talljen me opinion dhe keqpërdorimin e vuajtjes së viktimave për interesat e tij komerciale-politike. Kosovës i është bërë një dëm i madh. Një dëm që me këso barbarie ndoshta vetëm propaganda serbe apo ruse do të ishte në gjendje t’ia bënte po të kishte mundësi.

Ky dëm është atak edhe ndaj Kongresit Amerikan që para pak ditësh organizoi një dëshmi për krimet e Beogradit në Kosovë. Kjo poshtërsi nuk duhet të kalojë me dy llafe nga një gojë e ndyrë, nuk duhet të kalojë me deklarata bajate të pushtetarëve të papërgjegjshëm. Koha është për revoltë paqësore qytetare! Opozita duhet sa më shpejt ta rrëzojë këtë pushtet me mjete demokratike, me protesta, me çdo mjet të lejueshëm politik. Kur thotë F.B. se shefi i saj nuk ka qenë në dijeni, kuptojeni të kundërtën! Stop poshtërsisë!

Burimi: http://www.gsh.al

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.