Modeli ekonomik estonez…

në kategorine Opinione

Estonia është një shtet i vogël në Europën Veriore në Detin Baltik, me pak më shumë se 1,3 milion banorë. Ngjason me ne, Shqipërinë jo vetëm nga përmasa gjeografike dhe demografike, por edhe nga e shkuara e përvuajtshme. Gjatë gjithë historisë së tyre, kanë pasur kalvare pafund përpjekjesh për liri. Në vitin 1918, shpallën pavarësinë, por u pushtua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940 gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke u mbajtur sikundër ne nën tutelën e ‘Perdes së Hekurt’ për më se gjysmë-shekulli.





Ajo periudhë si për çdo shtet tjetër pati pasoja katastrofale edhe për Estoninë. Nga një vend që më 1939 standardet e jetesës i kishte pak a shumë të njëjta me Finlandën fqinje, arriti në një nivel PBB-je rreth 2.000 dollarë për frymë në periudhën që u  mëvetësua. (Edhe Shqipëria në këto nivele vërtitej asokohe, diku te 1 909,6 $ më 1991 sipas FMN-së).

Fundi i komunizmit kishte krijuar kaos të vërtetë në vend. Dyqanet ishin krejtësisht të zbrazëta dhe rubla ruse nuk kishte ndonjë vlerë. Prodhimi industrial u ul në vitin 1992 me mbi 30 % më shumë sesa gjatë Depresionit të Madh të viteve ’30. Pagat reale ranë menjëherë me 45 %, ndërkohë që inflacioni i tejkaloi 1.000 % (për shembull çmimet e karburantit u rritën 10.000 %)

Njerëzit qëndronin në radhë me orë të tëra për të blerë ushqime. Buka dhe produktet e qumështit u racionuan. Për shkak se nuk kishte gaz për ngrohje, qeveria planifikonte të largonte pjesën më të madhe të banorëve të kryeqytetit, Talinit në fshat. I vetmi ‘institucion’ që dukej se funksiononte ishte vetëm ‘tregu informal’.

Deri më këtu situata  ngjan ‘motamo’ me vendin tonë, saqë sikur të hiqnim toponimet estoneze do të mendonim se flisnim për Shqipërinë.

Por, shteti baltik ndryshe nga ne ‘bashkëvuajtësit’ e tjerë të pseudo-komunizmit i hyri reformave me themel, duke u mbështetur në teorinë e Lescek Balcerowicz, një prej arkitektëve të reformës ekonomike polake. Ai theksoi rëndësinë e “Politikës së Jashtëzakonshme – Teorisë së Shokut”, që nënkupton se një program ekonomik radikal duhet të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur pasi ‘zbulimi’ ka një shans shumë më të madh për t’u pranuar sesa një program radikal i vonuar, ose një alternativë jo-radikale që paraqet gradualisht masa të vështira shtrënguese. Sipas fjalëve të tijː “Mjekësia ‘e hidhur’ është më e lehtë për t’u marrë me një dozë, sesa në një seri dozash të zgjatur”.

Estonia u përpoq të mësonte nga përvojat e të tjerëve. Dy ishin mësimet kryesore që dolën nga ky proces. Njëra ishte që të kujdeseshin për politikat dhe pastaj të vazhdohej me reformën ekonomike, pasi të gjitha reformat e vështira që u ndërmorën u bënë me konsensusin dhe përkrahjen e gjithë faktorit politik. Tjetri është i përmbledhur në sloganin e mirënjohur: “Vetëm bëje”. Me fjalë të tjera, është thelbësore të jesh vendimtar në miratimin e reformave dhe të qëndrosh dhe punosh për to pavarësisht nga dhimbja afatshkurtër që ato shkaktojnë.

Mbi këto 2 parime tejet simpliste u ngrit e gjithë rimëkëmbja e vendit. Nga një ekonomi me 92 % të tregtisë ndërkombëtare të varur nga Rusia u hap drejt tregut global, u implemetua me sukses taksa e sheshtë, u punua në forcimin e legjislacionit dhe reformës monetare, por me fokus në njohjen dhe zhvillimin e konceptit të pronës private.

E frytet e kësaj pune i voli dhe po i vjel me sukses prej vitesh (edhe pse u godit nga Kriza Ekonomike e 2008). Që nga fillimi i reformave të Estonisë, rritja ekonomike ka qenë mesatarisht në nivelet 6 %, duke shënuar në vite specifike si 2006 edhe rritje dyshifrore, 11-12 %.  Në pothuajse çdo standard të matur, Estonia është ndër ekonomitë më konkurruese midis shteteve anëtare të BE-së, me buxhet të balancuar dhe klimë të favorshme për investitorët.   Të gjitha këto ndryshime kanë lejuar Estoninë të përgatitet për sfidat e reja të shekullit të 21-të. Kombi bëri një kërcim të vërtetë në teknologjinë moderne dhe është pioniere në ‘e-governance’. Gjatë mbledhjeve të kabinetit, anëtarët e qeverisë përdorin vetëm kompjuterë – pa asnjë letër. Estonia është tani përpara shumë vendeve të BE-së në përdorimin e internetit. Estonezët që prej viteve 2000 kryejnë një pjesë të madhe të transfertave të tyre bankare nëpërmjet internetit, deklaratat tatimore mund të dërgohen në Departamentin e Taksave në mënyrë elektronike etj.

E-Government, është shembulli më tipik estonez që na dëshmon përdorimin e një mjet shumë efektiv në krijimin e një qeverie të vogël dhe të hapur. Përdorimi i internetit nga ana e qeverisë ka krijuar mundësi të favorshme për ndërmarrjet e reja të teknologjisë së lartë. Estonia është bërë vendlindja e shumë ndërmarrjeve të tilla. Shpikja më e famshme estoneze është sistemi elektronik i komunikimit Skype, i cili u votua si markë e tretë me ndikim më të madh në botë në vitin 2006.

Duke e parë teknologjinë si sektorin më me oportunitet për të mbështetur ekonominë, u investua në një strategji arsimore për t’i përgatitur të rinjtë me njohuritë dixhitale të nevojshme për sfidat e tregut të punës. Shifrat flasin vetë për suksesin e kësaj nismeː numri i studentëve estonezëve që ndjekin karrierë të suksesshme në sektorin IT është sa dyfishi i mesatares së vendeve të OECD, gati 10 % e gjithë numrit të studentëve. Por, treguesi më domethënës i kësaj politike është fakti që të rinjtë e këtij vendi renditen të parët në testin ndërkombëtar të PISA-s. Pra, sistemi arsimor i pajis të rinjtë jo vetëm me setin e njohurive teknike, por edhe me aftësi ‘soft’, aparat logjik etj.   Mbështetur në gjithë këto projekte, nën moton ESTONIA 2014-2020 qeveria ka vendosur objektiva që do ta kthejnë përfundimisht vendin në një shtet të krahasueshëm me vendet më të zhvilluara në botë. Synohet rritje e produktivitetit të punës në 80 % dhe e nivelit të punësimit në shifra rekord për vendet e BE-së.

E kështu Estonia e sotme është një vend i zhvilluar si rezultat i dekadave punë dhe inovacion. Duke përjashtuar vendet dhe territoret e vogla me status të ndryshëm ligjor, Estonia renditet e 37-ta në mesin e vendeve më të pasura në botë (PPB për frymë nga 175 vende) duke mos qenë më një vend bujqësor. Vetëm 3% e fuqisë punëtore është e punësuar në bujqësi, por me produktivitet 20% më i lartë se mesatarja e sektorit. Shumica e estonezëve (69%) punojnë në sektorin terciar, një shifër që është e sigurt të rritet një rezultat i revolucionit dixhital dhe automatizimi i të gjitha punëve rutinë dhe atyre fizike në 25 vitet e ardhshme.

Ndaj, nëse një ditë prej ditësh do të vijë ndonjë qeveri që do të mendojë realisht të zhvillojë në kuptimin e plotë të fjalës ekonominë e vendit, le të hedhin një sy edhe nga shembujt e suksesit që vijnë nga shtete si Estonia. Një shtet me të cilin nuk ndajmë vetëm të shkuarën e përbashkët komuniste, demografinë modeste; por edhe aspiratën për t’u fokusuar në sektorin tercial, shërbimin. Por, vetëm me një diferencë të madhe, ne kemi vetëm dëshirën (ëndrrën) për të konkurruar në tregun e shërbimeve (kryesisht përmes turizmit), kurse estonezët prej vitesh po investojnë strategjikisht në këtë sektor duke mos u fokusuar si ne vetëm në zgjidhje të çastit dhe jo aq rentabël, si PPP-të.

Burimi: http://www.gsh.al

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.