Kryemadhi me të rinjtë: Ne dështuam ta bëjmë Shqipërinë shtet, bëjeni ju

në kategorine Shqipëri

TIRANË, 17 maj/MEDIAL/- Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar sot një takim me gjimnazistë të kryeqytetit, me të cilët diskutoi për problemet e arsimit parauniversitar dhe Maturës Shtetërore.
Në fjalën e saj, Kryemadhi theksoi se “maturantët dhe gjimnazistët janë një gjeneratë shumë energjike. Dua t’iu falenderoj dhe është e rëndësishme që tryeza të tilla të bëhen shpesh, pasi ndihmoni në zgjidhjen e të gjithë problematikave në sistemin tonë arsimor”.
“Angazhimi juaj ka qenë i jashtëzakonshëm, një sensibilizim për ne, sepse pjesëmarrja juaj në aktivitetet tona rrit detyrimin tonë ndaj bindjeve politike. Dua të them që arsimi është shumë i rëndësishëm, është prioriteti ynë kryesor”, – nënvizoi ajo.
Duke u shprehur se politika ka dështuar në bërjen e Shqipërisë shtet, Kryemadhi i bëri apel të rinjve që të kontribuojnë në ndryshimin e saj.
“Ne dështuam në bërjen e Shqipërisë por, duhet t’ju japim ju kurajon që ta bëni atë Shqipëri që duhet. E them këtë me bindjen e plotë sepse në 30 vite tranzicion ia kam kushtuar të rinjve por edhe atyre që nuk janë sot këtu, janë në emigracion”, – theksoi  Kryemadhi.
Duke folur për protestat e opozitës, Kryemadhi tha se “shqiptarët me protestat e fundit kanë treguar se e kanë vrarë frikën, madje e kanë kapërcyer paksa. Por, qëllimi nuk është që të tregojmë muskujt përballë  kundërshtarëve”./k.s/j.p/
.

Burimi: http://ata.gov.al/ 

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.