Britani, dështojnë bisedimet për Brexit

në kategorine Bota

Bisedimet ndërpartiake të mbajtura për Breksit në Mbretërinë e Bashkuar kanë dështuar. Kanë qenë vetë konservatorët dhe laburistët që kanë njoftuar për falimentimin e procesit të dialogut, duke fajësuar për këtë njëri-tjetrin.

Bisedimet mes qeverisë dhe laburistëve për zhbllokimin e ngërçit të Breksit janë mbyllur pa një marrëveshje. Kreu i opozitës, Xheremi Korbin deklaroi në përfundim të procesit se gjatë dialogut laburistët kishin dhënë gjithçka, por fajësoi atë që e quajti “dobësinë dhe paqëndrueshmërinë” e qeverisë për dështimin. Nga ana tjetër, kryeministrja Theresa Mej deklaroi se mungesa e një qëndrimi të përbashkët me laburistët për një referendum të mëtejshëm i kishte bërë bisedimet të vështira. Kryetarja e qeverisë tha gjithashtu se do të shqyrtojë mundësinë për t’u parashtruar ligjvënësve opsione që procesin e Breksit ta udhëheqë mazhoranca. Një ditë më parë, zonja Mej premtoi se do të caktonte një datë për largimin nga detyra nëse marrëveshja e divorcit me BE-në do të dështojë sërish në votimin që do të mbahet më 3 qershor në Parlament. Breksit duhet të hynte në fuqi më 29 mars, por pasi ligjvënësit hodhën poshtë tre herë rresht marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Mej dhe Brukseli, data u shty për më 31 tetor. Kjo shtyu palët, konservatorët dhe laburistët, që të nisnin bisedimet me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për daljen nga BE-ja, pavarësisht diferencave mbi një sërë aspektesh, si anëtarësia në një union doganor dhe mbajtja e një referendumi të dytë. /ABC news Albania 24/7

Burimi: http://abcnews.al/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.