Shqiptarët, 75 vjet në duart e “të majtës” …

në kategorine Opinione

 Tani është koha që PS e vërtetë të mendojë dhe të përpiqet të korrigjojë gabimet e veta të bollshme, përfshirë edhe një nga më të rëndët, lënien e vetvetes, të vendit dhe të popullit në duart e Edi Ramës me shokë e shoqe.                                                                     





Po duket dhe shprehet gjithnjë e më qartë se këtu në Shqipëri, monstra “komunizëm”, ”enverizëm”, e fshehur trashë prej 28 vitesh nën kostumin modern të “së majtës” dhe prej 6 vitesh me kostume të qepura në rrobaqepësitë  sorosjane të markës “Rilindja”, ka gjetur shesh, do të mbijetojë dhe na bëjë gjëma për një kohe shumë të gjatë. Shkaku apo faji mund të kërkohet tek ajo pjesë e popullit apo e qytetarëve, që i do si sytë e ballit, edhe më shumë se veten dhe fëmijët, edhe më shumë se familjen dhe Shqipërinë. Që u shkon pas, që i mbështet, u beson dhe i voton edhe kur e di se e kanë mashtruar dhe do ta mashtrojnë, sipas zanatit apo zakonit të tyre të vjetër 78-vjeçar…Sipas meje, një nga arsyet që këtu “e majta”, me tri emra, ka gjetur “truall dhe klimë” shumë të përshtatshme, duhet kërkuar dhe mund të gjendet tek fakti se kemi rreth 70% të popullsisë në fshat dhe me origjinë fshatare, njësoj si në Rusi, Kinë, Korenë e Veriut, Kubë, Venezuelë, Serbi e në shumë vende të tjera të Evropës Lindore apo ish-socialiste…Sinqerisht, pa më të voglën ndjesi urrejtjeje dhe përbuzjeje ndaj vëllezërve dhe motrave që jetojnë në fshat apo janë me origjinë fshatare, duke i mëshiruar si viktima të fatalitetit, të realitetit shqiptar dhe të vetvetes, edhe tek ne fshati, mentaliteti fshatar, edukata dhe kultura fshatareske ka rrethuar, pushtuar dhe qeveris qytetin dhe shtetin. Për këtë shpreh dhe flet shumë qartë edhe fakti se përse komunizmi dhe socializmi, nëpërmjet partive  komuniste, nuk arriti të lulëzonte dhe të merrte pushtetin, qoftë edhe për periudha fare të shkurtra në vendet e Perëndimit kapitalist, ku, në të kundërt me ne, raporti demografik është shumë ndjeshëm në favor të popullsisë qytetare, deri në 90%.

PKSH, PPSH, PSSH u poll apo sajua në Tiranë, por bazat dhe mbështetjen më masive i kishte dhe i ka tek popullsia fshatare dhe mentaliteti fshatar, që edhe vetveten, edhe gocën, edhe votën, të gjitha liritë dhe të drejtat demokratike, i sheh dhe shet si mall…Paradoksalisht, gjasmë e majta shqiptare ka mbështetje dhe vota më masive në fshat, edhe pse popullsia e fshatit, ka përjetuar vuajtje më të shumta e më të rënda se ajo e qytetit. Një nga arsyet e kësaj dashurie, besnikërie deri në nënshtrim, skllavërim dhe sy, veshë e gojë-mbyllje, mund të kërkohet tek  ndjerja e shumicës së të majtëve  borxhlinj ndaj PKSH-PPSH-PSSH se i mori fëmijë nga fshatrat, i shkolloi, punësoi dhe strehoi në Tiranë dhe në qytete të tjera të mëdha, duke i bërë me diploma universitetesh,  kuadro me detyra të tri niveleve, me shtëpi dhe me një standard  jetese dukshëm më të mirë se sa në fshatrat nga kishin ardhur. Por, këta nuk thellohen të bëjnë analizë të thellë dhe objektive se sa fish më shumë ia kanë shpërblyer, se ua kanë larë brenda pak viteve këtë borxh “partisë dhe pushtetit popullor” me punë të devotshme, me sakrifica të mëdha, me vlera shumë herë më të larta se paga apo pensioni që merrnin.

Më 1991-1992, pas zhgënjimit masiv e të pafshehshëm nga sistemi komunisto-socialist dhe nga Enver Hoxha individualisht, shumë të majtë u justifikuan se për 47 vjet nuk kishin parë Botën Kapitaliste me sy dhe i kishin besuar si të vërteta  gënjeshtrat dhe përrallat e Enver Hoxhës për “parajsën e socializmit dhe të komunizmit”. Tani që e kanë parë më sytë e tyre të ballit epërsinë shumëdrejtimëshe të së djathtës mbi të majtën, të kapitalizmit mbi socializmin dhe e kanë humbur këtë alibi apo kartë justifikimi, tani që duhet të jenë bindur për dështimin e plotë të qeverisjes së “Rilindjes” si ekipe e të Edi Ramës individualisht,  shpreh shumë më tepër se idealizëm, naivitet, nostalgji, manipulim, bashkëfajësi…vazhdimi i “dashurisë së verbër” ndaj të majtës dhe  i mbështetjes së partisë dhe kryetarit të zemrës, edhe kur je bindur se të kanë mashtruar, shfrytëzuar dhe tradhtuar shumë herë e shumë gjatë, sy më sy dhe ditën me diell…

Në këto kushte masivizimi të varfërisë, korrupsionit, kriminalitetit, depresionit individual dhe social, të skepticizmit dhe pesimizmit për të ardhmen; të ikjes masive, sidomos nga moshat e reja si refugjatë dhe emigrantë nëpër botë; të ortakërisë së hapur të politikës dhe qeverisjes me bosë të krimit dhe të bizneseve të pista apo kriminale, plot njerëz artikulojnë dhe shprehin domosdoshmërinë e një elite të re politike në Shqipëri, të një të djathte të vërtetë apo të një Makroni shqiptar. Por, “harrohet” se si vend  dhe si popull gjatë këtyre 78 vjetëve, qysh nga 8 nëntori 1941, nuk kemi pasur asnjë ditë një të majtë të vërtetë, të standardeve të vendeve skandinave dhe përgjithësisht të Evropës Perëndimore. Në krahasim me të djathtën në Perëndim kjo alla e majta shqiptare ndryshon si fshati me qytetin, si nata me ditën, si ferri me parajsën, sepse Marksin e ka mbajtur si portret të varur në mure zyrash e sallash, pa e zbatuar në praktikën e përditshme, siç kanë bërë vendet e zhvilluara kapitaliste, ku ka qeverisur dhe vazhdon të qeverisë e djathta gjenetike apo e vërtetë.

Prandaj është po kaq  i domosdoshëm edhe krijimi i të majtës së vërtetë, jo me operacione plastike, me kozmetikë të pamjes së jashtme, jo me ndryshim formal të flamurit, të ngjyrave dhe detajeve të tjera të tij.

Elita e re politike dhe qeverisëse në Shqipëri nuk mund të formëzohet, konsolidohet dhe faktorizohet  pa ikur kjo e ndryshkura apo e inkriminuara deri në fyt, përgjithësisht trashëgimi apo vazhdimësi e enverizmit, me veshje dhe frazeologji moderne! Është bërë e qartë  prej kohësh se kjo elitë politike dhe qeverisëse ekzistuese nuk ikën me vullnet, dëshirë dhe me gjasme zgjedhje, për deri sa nuk e flak populli, më së shumti militant dhe besnik ndaj partisë dhe kryetarit të zemrës, deri në sakrifikimin e vetes dhe të fëmijëve…Qeveritarët e paaftë, të papërgjegjshëm apo të pandjeshëm ndaj jetës me 1001 halle të qytetarëve, që prej me vepra, më së shumti, u kanë shërbyer më tepër skenarëve dhe dëshirave të fqinjëve se sa interesave jetike dhe kombëtare të popullit të tyre, ikin me protesta demokratike shesheve, nga qytetarët opozitarë, të pavarur  dhe të majtë, sepse të tri palët janë njësoj viktima të keqqeverisjes, të mashtrimeve, korrupsionit, kriminalitetit, kanabizimit, kullëzimit, betonizimit, kukëllizimit të drejtuesve kryesorë të institucioneve të drejtësisë…Kuptohet, ikin me votë masive “kundër” dhe të mbrojtur fort e mirë deri në fund, në zgjedhje të ndershme dhe joallashqiptare…

Për këtë lëmsh apo kompleks rrethanash dhe arsyesh këtu  në Shqipëri, sipas gjykimit tim subjektiv, nuk mund të dalë, mbështetet dhe të fitojë një Makron shqiptar. Edhe pse nuk e lejojnë superpartitë…Edhe pse populli, sidomos ai i majtë, nuk i braktis partinë dhe kryetarin e zemrës, përrallat dhe dogmat që u ka lënë Enveri; televizionet dhe gazetat prej të cilave lumturohet nga mashtrimet dhe premtimet e reja të tyre; kafenetë, pijetoret, stolat e lulishteve, nga tavolinat në kuzhinat shtëpiake  mbushur me ilaçe të skaduara,  me fruta, lëngje, ëmbëlsira, bukë, ushqime…me doza të larta helmesh, hormonesh, sëmundëshmërie, rrezikshmërie…Vëllezërit, shokët, miqtë… tanë të majtë nuk e vrasin mendjen e tyre të mykur apo të ndryshkur tek shkaku dhe shkaktarët se përse nën qeverisjen e partisë së tyre socialiste kanë paga dhe pensione rreth 7-10 herë më të ulëta dhe çmimet 50-100% më të larta se në vendet e Perëndimit Kapitalist, ku kanë fëmijët si emigrantë të rregullt e të integruar; se përse u kanë ikur dhe i kanë lënë të vetëm e të mos punësoheshin këtu në Shqipëri… “Harrojnë” të pyesin dhe të kërkojnë shkaqet, arsyet, fajtorët, përgjegjësit  se përse Shqipëria, një nga vendet më të pasur në Evropë, prej rreth 106 vjet (nga 28 nëntori 1912) dhe 75 vjet nga 29 nëntori 1944,  ka mbetur e fundit në Evropë për shumicën e treguesve të zhvillimit ekonomik, social, të mirëqenies, të shtetit ligjor, të demokracisë, të integrimit në BE…Kështu që ka gjasa që, nën hundën e tyre, kur ata janë të përhumbur nëpër kujtime nostalgjie dhe premtimesh të reja përrallore, Edi Rama  të përfitojë dhe të  na bëhet Enver, Putin, Erdogan e të qeverisë deri në frymën e fundit, i përmbytur nga pushtetet, nga pasuritë, nga përqafimet e ortakëve, të servilëve, kukullave, skllevërve, kufomave të gjalla…Por, edhe nga  duartrokitjet e turmave të koneve,  kartonëve, fletëve të votimit, që i puthin duart duke i thënë “ le të na vdesin fëmijët në shtëpi nga varfëria, mjafton që ti të jesh mbret, parti, qeveri e shtet…Natyrisht, i lumturuar dhe trimëruar edhe nga duartrokitjet e disa ndërkombëtarëve sorosjanë apo…konjukturalistë, që ia vështrojnë zullumet, turpet, skandalet, abuzimet, krimet,…pa ndjerë vrasje në zemër dhe në ndërgjegje se sa gjëma apo viktima shkakton sy, veshë e gojë-mbyllja e tyre si dhe “heshtja” apo mbështetja e tyre.

Duke vazhduar të jetë e “droguar” nga doza të forta e të padobësueshme partishmërie, enverizmi, militantizmi, demagogjie dhe manipulimi, internacionalizmi vetëmohues dhe shtetcopëtues, “ushtria e te majtëve”, edhe më 30 qershor do të shkojë masivisht, me firo të pakta, nga vdekjet prej moshës, sëmundjeve, aksidenteve si dhe prej mijërave të ikurve nëpër botë si emigrantë, në qendrat e votimit, siç ka bëre për rreth 74 vjet… “Populli i majtë” gënjen veten dhe përpiqet që “verbërinë” apo naivitetin e vet t’ua imponojnë edhe të tjerëve, duke menduar, përrallisur apo propaganduar se zgjedhjet e 30 qershorit mund të bëhen edhe pa dy partitë kryesore të opozitës së vërtetë, edhe me opozitën e sajuar në kabinetin apo studion e Edi Ramës, edhe pa opozitë fare…Për enveristët e moçëm e të rinj, është më mirë që vendi ka mbetur pa shtet, pa mirëqenie, pa parti dhe të majtë socialiste të vërtetë apo të pastër, pa PD –në dhe opozitën e vërtetë, pa demokraci, pa rini, pa të ardhme, pa shpresë…Për ata, mjafton që të jetë në pushtet partia e tyre e zemrës si dhe të jetë gjallë, mirë nga shëndeti, nga mendtë, goja, dora, pushtetet, përfitimet, sarajet sheikore, kullat…Edi Rama. Si alibi dhe justifikim për këtë “dashuri të çmendur” dhe skllavëri të vullnetshme të  tyre ndaj të majtës, “Rilindjes”, Edi Ramës, prej vitesh janë kapur tek “frika ndaj Berishës” dhe “mospëlqimi i Bashës”, tek sajesa propagandistike e zgjuar e Edi Ramës “të dy palët janë njësoj” si dhe tek mungesa e një të djathte të vërtetë. Nëse Berishës i tremben si “gogolit”, nëse nuk u pëlqejnë Lulëzim Basha, Monika Kryemadhi, Ilir Meta, natyrshëm logjika të shtyn të mendosh se mbetet që të duan si të “marrë” Edi Ramën, Gramoz Ruçin, Taulant Ballën, Elisa Spiropalin…Duke e mbyllur, ky kontingjent të majtësh enveristë  ‘harrojnë” se e djathta e vërtetë, evropianoperëndimore, në fund të fundit, u vra me plumba, u var dhe varros edhe për së gjalli, nga Enver Hoxha i tyre dhe xhelatët që i shërbyen me besnikëri dhe tërbim qeni. Edhe kjo gjysmë apo gjasme e djathtë, që kemi, me shumë gjasa, është fryt prapaskenash ose skenarësh të Ramiz Alisë, ligësie dhe mëkatesh të “gjasmë të majtës” së tyre, për t’i mbajtur Shqipërinë dhe shqiptarët, pa demokraci, pa të djathtë dhe kapitalizëm të vërtetë, në fundin e humnerës dhe nën mbretërimin e saj, mundësisht të pafund. Tani, sa nuk  kanë shpërthyer  zjarret e një 97-të të dytë, siç dëshirojnë dhe presin me padurim serbët, grekët, rusët…,është  koha që socialistët  apo të majtët e vërtetë, që  demokratët  apo të djathtët e vërtetë, që të pavarurit e vërtetë,  që të gjithë si shqiptarë të vërtetë, të mendojnë dhe të përpiqen së bashku  të korrigjojnë gabimet e veta të bollshme, përfshirë edhe një nga më të rëndët, lënien e vetvetes, të vendit dhe të popullit në duart e Edi Ramës me shokë e shoqe. Janë të panumërt faktet për t’u bindur se ata kanë afro 6 vjet që kanë nëpërkëmbur në mënyrë të paskrupullt idealin, flamurin, interesat e PS-së, që kanë vënë në pikëpyetje të madhe të sotmen dhe të ardhmen e saj dhe të të gjithë vendit e të kombit, të brezave të sotëm dhe të nesërm. Do të ishte faj dhe krim historik, përgjegjësi e pafalshme morale dhe juridike, në qoftë se Shqipëria sakrifikohet për të dytën herë për një kolltuk kryeministri.

 

Burimi: http://www.gsh.al

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.