Kuvendi nis debatin për draft-rezolutën që e fajëson Serbinë për gjenocid

në kategorine Kosovë

Kuvendi i Kosovës po shqyrton propozim-rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.

Debati në lidhje me draft-rezolutën ka filluar gjatë orëve të pasditës.

Bilall Sherifi, në emër te grupeve parlamentare, i cili prezantoi një pjesë të propozim-rezolutës për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”, tha se për 20 vjet, në vend që Serbia të dënohet për krimet, ajo po synon t’i amnistojë kriminelët.

Prandaj,siç tha deputeti Sherifi, përmes kësaj rezolute, do të mundohen dhe do të kërkohet që kriminelët të dalin para drejtësisë.

“Kriminelet të cilët janë gjallë duhet të vihen para drejtësisë dhe bashkë me ta edhe shteti serb. Kosova dhe kosovarët do te jenë këtu dhe nuk do të heqim dorë deri sa të ketë drejtësi”, tha Sherifi.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se partia e tij e mbështet në mënyrë unanime miratimin e Rezolutës për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

“Më lejoni që në emër të LDK-së t’i jap përkrahje kësaj projektrezolute. Duke renditur së pari konventat ndërkombëtare që janë miratuar për parandalimin e krimit dhe gjenocidit. Ajo çka na ka bashkuar për të kryer një obligim të cilin institucionet e Kosovës nuk kanë arritur që 20 vite ta sjellë një rezolutë të tillë”, ka thënë Zemaj.

Ai thotë se një ndër objektivat e Serbisë është edhe shpërbërja e institucioneve politike e sociale.

“Sapo pak të jetë një thirrje për të gjithë që keqpërdorin, minimizojnë krimet e kryera në vitet e 90-ta dhe duhet sa më pak fjalë e sa më shumë vepra dënimin e te gjithëve atyre që kanë kryer këto krime. LDK-ja gjithashtu ka dhënë një propozim me atë që quhet gjenocid. Një ndër objektivat e Serbisë është edhe shpërbërja e institucioneve politike e sociale”, ka thënë ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, tha se Serbia ka pasur për synim zhdukjen e popullit të Kosovës dhe spastrimin etnik. Sipas tij, shteti serb po vazhdon të fsheh gjurmët e krimeve të kryera dhe do të tentojë “të shlyejë kujtesën” e shqiptarëve.

“Duke u mbështetur në konventat ndërkombëtare, që flasin për të drejtat e njeriut, kërkojmë që shteti serb të pranojë krimet dhe gjenocidin në Kosovë”, tha Lushtaku.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili këto ditë ka qenë shumë aktiv në çështjet që ndërlidhen me gjykimin dhe dënimin e krimeve gjatë kohës së luftës së viteve 1988-’99, ka thënë se pret përkrahje nga të gjitha grupimet politike në Kuvend.

“I takon Kosovës që të dokumentojë, të faktojë dhe dëshmojë të gjitha krimet dhe gjenocidin që i ka kryer Serbia mbi Kosovë, në mënyrën që t’i hapet një perspektivë e re rajonit të Ballkanit Perëndimor në proceset integruese euroatlantike, për të gjitha vendet”, ka thënë Veseli.

Pas shqyrtimit të propozim-rezolutës, Kuvendi në agjendë ka edhe formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për, siç thuhet, gjenocidin serb në Kosovë, pastaj marrjen e vendimit për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, te Stacioni hekurudhor i Prishtinës dhe caktimin e Ditës së Gjenocidit./

Burimi: http://kosova.info

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.