Jonida Maliqi duhet t’u këndojë shqiptarëve “Ktheju Mendjes”, jo Tokës

në kategorine Opinione

Jonida Maliqin nuk e kemi ndjekur dhe vlerësuar kurrë as për njohjet e saj gjuhësore dhe as për librat që ka lexuar. E kemi ndjekur dhe vlerësuar për shkak se është përfaqësuese e asaj pjese të shoqërisë sonë e cila merret me art, pra muzikë dhe me dimensionin e saj si influencuese imazhi, me risitë që sjell në fushën e kujdesit pikërisht të tij, të stilit dhe botës së modës. Çdo libër të lexuar dhe gjuhë të njohur, Jonida e ka barrë dhe lehtësi vetëm mbi supet e saj dhe llogarinë ja jep vetëm ajo njeriut që dëshiron të jetë apo të bëhet. Askujt tjetër. Aq më pak këtyre llogjerëve që nuk kursejnë dot as vrerin as like-un. Dhe sidomos tani, në këto kohë.





Jonida Maliqi është përfaqësuese e Shqipërisë ne një festival muzikor europian. Që do të thotë se Jonidën e kemi zgjedhur e dërguar pikërisht për këtë, të këndojë dhe të na përfaqësojë duke kënduar. Me atë që kemi mbi njëzet vite që e ndjekim. Por me Jonidën u sollëm kështu – i dhamë një varkë dhe i thamë: dil në det të hapur!
Mesa duket anglishtja është det i hapur për të. Të gjithë ne kemi një det të hapur. Për mua është muzika, por dhe vozitja me një varkë krejt të panjohur në botën e modës, veshjeve dhe imazhit. Jonidën e lamë në det të hapur ndonëse ky vend prodhon çdo vit e madje ka edhe profesionistë të mirënjohur e respektuar në treg që quhen specialistë marredhëniesh me publikun. Specialistë PR.

Të këndojë eshtë detyrë e Jonidës. Çdo gjë tjetër është detyrë e një stafi të munguar dhe e një ndihmësi apo ndihmësish të munguar, që duhet të përgatiste përfaqësuesen e vendit tonë për çdo mesazh që duhet të përcillte në intervista, për çdo fjalë thënë e fjali të artikuluar e kështu me radhë. Kjo duhej të qe detyrë e Radio Televizionit Shqiptar. Jo detyrë e Jonidës. Gjërat duhen ndarë, quhet organizim. Ky institucion nuk duhej të lejonte kurrsesi që përfaqësueset tona artistike të mbanin në shpinë një përgjegjësi që nuk e kanë. Në asnje vend të botës moderne kjo nuk ndodh.

Nuk ndodh që një përfaqësues të niset për debat, i papërgatitur. Nuk ndodh të niset për të kënduar, pa prova. Nuk ndodh të niset për garë, pa stërvitje. Është koha të hapim mendjen. U bëmë bajat duke përtypur çdo ditë e çdo kohë lajme portalesh që nuk kanë asnjë faj, përveç të na njohurit mirë si rracë që kemi nevojë të shajmë e shfryjmë sidomos kur nuk i njohim mirë gjërat dhe nuk dimë si do duhej të funksiononte. Sot nëpër botë, asnjë përfaqësues i çfarëdo fushe, nuk mundet të ecë deri tek pragu i derës pa u përgatitur dhe konsultuar më parë me specialistin e tij të marrëdhenieve me publikun.

Ne Jonidës nuk i bëmë dot asgjë. Asnjë fjalë ngacmuese, asnjë meme dhe asnjë video për të shkaktuar histeritë e ngërdheshjeve nuk i bëjnë dot asgjë. T’i bënin, ajo nuk do të ishte sot aty ku është. Shqetësimi i madh është fakti që askush nuk merakoset, askush nuk foli, askush nuk reagoi të ndalonte një incident të paralajmëruar. Dhe dakort që s’dimë e s’mësojmë, por as nuk imitojmë. Ne vazhdojmë të kavërdisemi tek injoranca jonë pa u përpjekur ta kapërcejmë e të përqafojmë zhvillimin, por na mjafton të drejtojmë një gisht për t’i dhënë kuptim një faqeje instagrami dhe facebooku që kemi në pronësi. Duke harruar, që tre gishtat e tjerë ja kemi drejtuar vetes. Vetes tonë – ne anglishtfolësve më të mirë të të gjitha kohërave!

Burimi: http://www.gsh.al

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.