Haradinaj: Qeveria e ka interes jetik që të përkrahë policinë e Kosovës

në kategorine Kosovë

“Kosova e ka interes jetik që të
përkrahë policinë, të fuqizojë kapacitete operative të policisë dhe mbështesë
atë në bazë ligjore, në tema që ia garantojnë operimin e suksesshëm”, kështu
tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij
pas një vizite pune që zhvilloi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së
Kosovës.

I shoqëruar edhe nga ministri i
Financave, Bedri Hamza si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa,
kryeministri Haradinaj tha se është e vërtetë që Kosova ka disa të arritura në
fushën e sigurisë, por që sot bashkërisht kanë diskutuar edhe për ta
parë mundësinë se si të vazhdohet më tutje që institucionet e sigurisë ta kenë
një situatë vepruese me bazë ligjore që i siguron në çdo etapë dhe çdo formë të
operimit të tyre.

“Kosova është vend specifik, e dal nga
lufta, ka shpallur pavarësinë e vetë, pra është shoqëri e re, institucionet e
vendit janë shumë të reja. Njëkohësisht është një kohë e tranzicionit kur
përgjegjësitë nga mekanizmat ndërkombëtarë janë bart dhe po barten tek
mekanizmat vendorë. Tash përgjegjësitë e plota i ka Policia e Kosovës në të
gjithë vendin dhe janë përgjegjësi vërtetë të ndjeshme”, theksoi kryeministri
Haradinaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së
Kosovës, Rashit Qalaj, falënderoi kryeministrin Haradinaj dhe dy ministrat për
vizitën në këtë institucion, duke thënë se janë shumë të kënaqur për përkrahjen
që Qeveria e vendit po ia jep policisë.

“Kjo përkrahje na obligon që ne më shumë të ofrojmë siguri për vendin, për qytetarët tanë. U zotuam se do të bëjmë maksimumin që të shtojmë aktivitetin tonë policor që qytetarë të ndihen sa më të sigurt”, tha Qalaj. /Kosova.info/

Burimi: http://kosova.info

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.