Xhaferi për vizitë në punëtoritë për demokraci në Parlamentin austriak

në kategorine Maqedoni

Shkup, 15 maj 2019 (MEDIAL) – Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i paraprirë nga kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi, sot, gjatë vizitës zyrtare në Republikën e Austrisë, e vizitoi Punëtorinë për demokraci e formuar nga Parlamenti austriak.

Xhaferi i cili shoqërohet nga deputetët Rexhail Ismaili dhe Meri Lazarova dhe Sekretarja e përgjithshme Cvetanka Ivanova, iu përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve të rinj të cilët interesoheshin për opinionin e tij rreth lirisë së fjalës, për mbrojtjen e ambientit jetësor, për atë se si e përjeton funksionin etj.

Punëtoria për demokraci ka qëllim që t’i informojë të rinjtë në gjashtë punëtori të ndryshme interaktive për karakteristikat kryesore të demokracisë dhe sistemit parlamentar. Temat e punëtorive individuale janë përpiluar në formë të projekteve kërkimore për punë në grupe të vogla sipas moshës së pjesëmarrësve. Çdo grup i vogël merret me temat e veta nëpërmjet produksionit të filmit, radios apo gazetës, që më vonë publikohen në ueb faqe.

Punëtoritë kanë për qëllim të inkurajojnë interesin për kuptimin e procesit parlamentar, mësimin e parimeve themelore të shkrim-leximit të medies dhe të shprehurin e opinionit personal.

Gjatë projekteve të tyre kërkimore, pjesëmarrësve u jepet mundësi t’i intervistojnë anëtarët e vërtetë të Këshillit Nacional dhe Federal për punën e tyre parlamentare dhe përvojën personale. Ky këmbim u jep vështrim në procesin ligjvënës dhe në aktivitetet e përditshme të deputetëve.

Pala austriake ofroi mbështetje për përpilimin dhe zbatimin e projekteve të ngjashme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.