Muaji i sigurisë rrugore, diskutim i hapur me studentët e Mjekësisë

në kategorine Shqipëri

TIRANË, 15 maj/MEDIAL- A. Fortuzi/- Në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen gjatë muajit maj, për Sigurinë Rrugore – iniciuar nga ana e Kombeve të Bashkuara, Fakulteti i Mjekësisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe Policinë Rrugore organizuan një sesion të hapur diskutimi me studentë të mjekësisë dhe të shëndetit publik.
Gjatë takimit u trajtuan çështjet e sigurisë rrugore, për sfidat e përballimit të aksidenteve rrugore si dhe për nxitjen e çdo studenti për tu bërë një “lider i sigurisë rrugore”, pasi  Siguria Rrugore është kontribut i të gjithëve
Drejtori i Drejtorisë së Policisë Rrugore, Mit’hat Tola gjatë bashkëbisedimit me studentët u shpreh se është tejet e rëndësishme të kuptohet vlera e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor, si nga këmbësorët ashtu dhe nga përdoruesit e mjeteve motorike ose biçikletave. “Në Europë vdesin rreth 50 mijë njerëz në vit. Në të gjithë botën numërohen 1.3 milion njerëz që vdesin si pasojë e aksidenteve. Policia Rrugore është e lidhur çdo ditë me aksidentet dhe për të mënjanuar sa më shumë këto aksidente, jemi dhe shumë ndëshkues”, tha Tola.
Ai tha se problem mbetet te kultura sociale e përdorimit  të rrugës. “Kemi një popullsi jo civile në zbatim të rregullave të qarkullimit rrugor. Nuk respektohen rregullat minimale, duke nisur nga këmbësori për vijat e bardha. Dhe në këtë drejtim drejtuesit e automjeteve detyrohen më pas të bëjnë manovra aspak të hijshme. Apo kemi raste kur vetë drejtuesi mjetit nuk respekton këmbësorët te vijat e bardha duke i rrezikuar jetën. Kemi një trend prej 62 njerëz që kanë humbur jetën në aksidente për 100 mijë banor, apo 4 njerëz për 10 mijë mjete. Aksioni ynë është jo vetëm aksion veprimi, por tashmë dhe edukimi”, theksoi Ttola
Skënder Ismaili, shef i Sektorit të Sigurisë Rrugore kërkoi nga studentët e mjekësisë të jenë dhe ata pjesë e aksionit sensibilizues, pasi siguria rrugore ka nivelin e sigurisë kombëtare. “Rruga është baza. Është mjedisi përmes së cilit ne spostohemi nga një vend në tjetri për kryer punën apo aktivitetin që duam dhe zbatimi i rregullave na jep mundësinë që këtë rrugë ta përdorim pa ndikuar te shëndeti jonë në radhë të parë dhe te shëndeti i tjerëve. Një rregull i pa zbatuar mund të kushtojë rëndë, nga jeta e një njeriut të humbur, te koha, shpenzimet e shumta, ndëshkimi që merret dhe puna e pa kryer”, tha Skënderi. /j.p/
 
.

Burimi: http://ata.gov.al/ 

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.