Këshilli i Europës, mision vëzhgues për zgjedhjet e 30 qershorit

në kategorine Shqipëri

TIRANË, 15 maj/MEDIAL/ Kongresi i Autorieteve Lokale të Këshillit të Europës ka vendosur dërgimin një misioni vëshgues për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, i cili do të jetë në Shqipëri në periudhën 26 qershor-1 korrik 2019.
Kështu informoi sot shefja e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Jutta Gützkow, gjatë një takimi me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, në selinë e Parlamentit.
Ruçi vuri në dukje se bashkëpunimi i Kuvendit të Shqipërisë me Zyrën e Këshillit të Evropës ka qenë i shkëlqyer dhe shprehu bindjen se ky bashkëpunim do vijojë të jetë frutsjellës.
“Kemi bashkëpunuar me zyrën e KiE-së në Tiranë për përgatitjen e disa ligjeve të rëndësishme, si ligji për Reformën ne Drejtësi, reforma zgjedhore, ligji për pakicat kombëtare, ligji për reformën administrative etj. Ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer dhe në shërbim të politikave reformuese në vendin tonë. Ndërkohë, do të sugjeroja që në kuadër të 70-vjetorit të themelimit të Këshillit të Europës të organizonim aktivitete të përbashkëta mes Kuvendit dhe Zyrës suaj për të kremtuar këtë përvjetor të organizatës lidere të të drejtave të njeriut”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit.
Shefja e Zyrës së Këshillit të Europës, Jutta Gützkow, falenderoi Kryetarin e Kuvendit për bashkëpunimin e deritanishëm midis Kuvendit dhe Zyrës së Këshillit të Europës dhe e siguroi për vijimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.
Në fokus të bisedës gjatë takimit ishin edhe bashkëpunimi me Komisionin e Venecias dhe opinionet e kërkuara për projektligjet nga Kuvendi i Shqipërisë, situata politike në vend, dhe ecuria e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. /m.m/
.

Burimi: http://ata.gov.al/ 

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.