FOKUS – SHBA dhe Rusia në kërkim të afrimit

në kategorine Bota

UASHINGTON, 15 maj /MEDIAL-AFP/ – Shefi i diplomacisë amerikane, Mike Pompeo, në vizitë në Rusi për të thyer akullin me Vladimir Putinin, po përpiqet të gjejë pika bashkëpunimi për çështje konkrete si Siria, pavarësisht fërkimeve të vazhdueshme.
Vizita e sekretarit amerikan të Shtetit në Soçi, në Detin e Zi, ku u prit nga presidenti rus pas tre orë bisedime me homologun e tij, Sergei Lavrov shënon takimin e nivelit më të lartë mes zyrtarëve të dy fuqive rivale që prej samitit të Helsinkit në muajin korrik.
Toni pajtues i presidentit amerikan, Donald Trump kundrejt shefit të Kremlinit ngjalli diskutime në atë kohë në klasën politike amerikane.
‘’Ne kemi pohuar në mënyrë të vazhdueshme se duam rivendosjen e marrëdhënieve të plota’’, u shpreh presidenti rus në fillim të takimit.
‘’Disa fusha bashkëpunimi janë të shkëlqyera si Koreja e Veriut, Afganistani dhe lufta kundër terrorizmit’’, theksoi nga ana e tij, Mike Pompeo.
Përpara largimit nga Rusia, diplomati i lartë amerikan prezantoi  dosje për të cilat Moska dhe Uashingtoni mund të bashkëpunojnë, kryesisht për konfliktin sirian ku janë regjistruar mbi 370 000 të vdekur që nga viti 2011.
Sipas tij, dy shtetet kanë tashmë një ide të përbashkët të pikave të bllokimit të zgjidhjes politike dhe mund të punojnë së bashku për mënyrën e zhbllokimit të situatës.
Kremlini nga ana e tij nuk përmendi asnjë marrëveshje konkrete, duke u mjaftuar me deklaratën se konflikti sirian ishte pjesë e diskutimeve mes dy personaliteteve.
Mike Pompeo theksoi gjithashtu se Moska dhe Uashingtoni kishin të njëjtat objektiva për dosjen bërthamore koreano-veriore, edhe pse samiti miqësor mes Vladimir Putinit dhe Kim Jong Unit në fund të prillit ishte në kontrast me dështimin e samitit të Hanoit me Donald Trump në shkurt./ /v.b/ a.jor.
.

Burimi: http://ata.gov.al/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.