Zëri i shqiptarëve të Italisë, kandidate në Parlamentin Europian

në kategorine Diaspora

E Martë, 14 Maj 2019 – 22:00
albinfo.ch

Fushata për zgjedhjet europiane tashmë është zyrtarizuar në Itali. Këto zgjedhje janë të rëndësishme sepse lidhen drejtëpërdrejtë me të ardhmen e Europës siç e njohim dhe për rrjedhojë edhe të shqiptarëve kudo që ndodhen.
Kolegji zgjedhor i Italisë së Jugut, ku bëjnë pjesë 6 rajone (Abruzzo, Calabria, Campania, Molise dhe Puglia) me pothuajse 14 milionë banorë ka ndër emrat në listë atë të një Italo-shqiptareje: Gerarta Ballo. Ajo kandidon si e pavarur në listën e PD-së, partia e qendrës së majtë italiane.
Gerarta Ballo, apo Geri, siç e thërrasin miqtë, ka nisur jetën e saj në itali në moshën 11 vjeçe dhe ka qenë gjithmonë aktive ndër vite dhe një zë i rëndësishëm i komunitetit shqiptar të Italisë, shkruan albaniannews, përcjell albinfo.ch.
Ka kryer studimet në degën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Torino dhe ka punuar si gazetare, duke themeluar njëkohësisht disa shoqata të cilat lidhen ngushtë me aktivitetin e saj për të rinjtë, emigrantët dhe gjeneratat e dyta. Në këtë qytet pothuajse 10 vjet më parë drejtonte emisionin radiofonik ‘Shqip in Torino’.
Pikë referimi për diasporën e hershme të arbëreshëve dhe atë të re shqiptaro-italiane, Gerarta nuk u shkëput nga Shqipëria. Përkundrazi, eksperienca e punës më e fundit është në diplomacinë shqiptare, ku punoi për dy mandate në Ambasadën e Shqipërisë në Romë.
Gerarta gëzon respektin dhe mbështetjen e arbëreshëve, nga ku ka marrë edhe vlerësime të rëndësishme siç është titulli Qytetare Nderi e Lungro-s, bashki arbëreshe e Kalabrisë ku ndodhet selia e Ipeshkvisë së ritit bizantin.
Mbështje të madhe ka marrë nga miq të shumtë italianë, por edhe nga komuniteti shqiptar në Itali që po vjen duke u shtuar ora orës.
Si aktiviste dhe studiuese e mirë e emigracionit dhe e realitetit kompleks të gjeneratave të dyta në Europë, Gerarta do të jetë një zë i fortë i komunitetit të hershëm dhe të ri shqiptar në Itali, por edhe për politikat e zhvillimit të kolegjit zgjedhor të Italisë së Jugut, ku edhe është kandidate.

Burimi: https://www.albinfo.ch

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.