Qendra e Shërbimeve të IT: Intervistë me Shërbimin Publik të Vitit në Maqedoni në edicionin e 7 të ICT Awards

në kategorine Galileo

Një projekt zhvilluar nxitur nga disniveli mes numrit të të punësuarve në IT dhe kërkesave të larta për ta.

Projekti Qendra për shërbime të IT-së është një ueb aplikacion përmes të cilit të punësuarit e bankës dhe të gjithë ata që merren me transferimin e të dhënave  mes bankës, institucioneve dhe kompanive private, ti menaxhojnë me katalogun e shërbimeve të cilët i ofron ueb aplikacioni.

Të gjitha kërkesat nga katalogu i shërbimeve menaxhohen nga departamenti i IT-së, varësisht prej kategorisë dhe peshës së shërbimit.

Projekti në edicionin e 7-të të ICT Awards u përfaqësua nga Rijat Abdullai dhe u shpall fitues në kategorinë ICT Shërbimi Publik i Vitit në Maqedoni. Kjo është hera e parë që Maqedonia e Veriut merr pjesë dhe vlerësohet me çmim në konkurs të tillë mbarëkombëtar.

Projekti u shpall fitues krahas projekteve nga Shqipëria dhe Kosova, Aplikacioni Tirana Ime dhe Busulla.com respektivisht.

PCWA: Nga se lindi nevoja për një platformë të tillë?

Duke pas parasysh që Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut është një institucion shtetëror me një sistem informacioni të veçantë dhe specifik, në të cilën marrin pjesë një numër i madh i përdoruesve nga brenda institucioni si dhe përdorues nga jashtë, ideja për një qendër për shërbime të TI-së lindi nga më shumë arsye. Një ndër arsyet kryesore ishte nevoja që ekipet e TI-së të fillojnë të shfrytëzojnë kornizat e ITIL si praktika më të mira për të ndihmuar biznesin në kuadër të bankës. Për këtë arsye lindi nevoja për krijimin e një pike të vetme të kontaktit (single point of contact) ku në mënyrë të centralizuar do të mblidhen kërkesat e përdoruesve të sistemit të informacionit të BPRMV-së dhe në formë elektronike do të shpërndahen nëpër njësitë e ndryshme të departamentit të TI-së, me qëllim të realizimit të sa më shumë të atyre kërkesave duke pas parasysh numrin e kufizuar të të punësuarve në departamentin e TI-së.

PCWA: Cili është qëllimi i kësaj platforme?

Fillimisht qëllimi ishte rritja e efikasitetit gjatë realizimit të kërkesave nga përdoruesit e brendshëm dhe të jashtëm. Me realizimin e sa më shumë të atyre kërkesave që vinin nga shfrytëzuesit e sistemit tonë, vazhduam mandej me rritjen e kualitetit të shërbimeve që i ofron institucioni jonë. Sot, përveç që numri i kërkesave është në rritje të vazhdueshme edhe kualiteti i atyre shërbimeve është në proporcion të drejtë me realizimin. Këtë e themi për shkak se numri i të punësuarve është gati se i njëjtë, ndërkaq numri i kërkesave vazhdimisht rritet dhe ndërkohë satisfakcioni nga ofrimi i shërbimeve është në nivelin e duhur.

https://www.facebook.com/ictawards.org/videos/1226436727537421/

PCWA: Sa shërbime ofrohen nga një platformë?

Shërbimet të cilat i ofron Qendra për TI janë të kategorizuara në disa module, përsëri këto të ndërlidhura me ITIL kornizën, respektivisht me ITIL Service Operations. Të vetëdijshëm për kërkesat dhe nevojat e shfrytëzuesve tanë të cilat vazhdimisht ndryshojnë për shkak të vet zhvillimit të shpejtë të teknologjisë, Qendra për TI shërbime i kategorizon shërbimet që i ofron në:

  • incidente;
  • kërkesa për shërbime nga katalogu i shërbimeve;
  • TI aktivitete;
  • të ndryshme;

Secila nga këto katër kategori ekzistuese, në vete ka nën kategori të cilët në mënyrë më të saktë përshkruajnë shërbimin të cilin e ofrojmë dhe që në numër momentalisht janë mbi 60 shërbime.

PCWA: Si u shërben aplikacioni përdoruesve?

Në kuadër të aplikacionit kemi edhe modulin për satisfakcionin e përdoruesve. Në bazë të analizave të deritanishme nga të dhënat e grumbulluara për satisfakcionin e atyre që përdorin sistemin, përdoruesit janë më se të kënaqur me shfrytëzimin e tij. Normalisht, duhet pasur parasysh që kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu, pasi fillimi ishte shumë më i rëndë. Në fillim duhej që të përgatiten përdoruesit që shërbimet të cilët i ofron departamenti i TI-së, do duhet të kalojnë përmes një pike të centralizuar dhe jo si deri atëherë në forma të ndryshme, të paevidentuara dhe pa mundësi kontrolli dhe menaxhimi. Krejt kjo ishte një proces i cili kërkoi një kohë të konsiderueshme deri në momentet kur të gjithë e kishin të qartë që kjo formë është shumë më efikase edhe për ato si shfrytëzues edhe për vetë departamentin e TI-së.

PCWA: Si mund të aksesohet shërbimi dhe për kë është i aksesueshëm?

Pasi bëhet fjalë për Bankë Qendrore, e cila në natyrën e funksionimit të saj nuk ka të bëjë me persona fizik, sistemi është i hapur për të gjithë ato përdorues, biznesi i të cilëve është i ndërlidhur me punën e bankës. Kjo do të thotë që të gjithë ato përdorues të cilët kanë të krijuar akonte në sistemin e informacionit të bankës e kanë lehtë të aksesueshme aplikacionin, por edhe ato të cilët përdorin certifikata të lëshuara nga autoritetet zyrtare për dhënien e certifikatave mund të kenë qasje në aplikacion pas një regjistrimi të të dhënave të tyre.

PCWA: A do të ofrohet edhe në qytete të tjera në të ardhmen?

Banka qendrore është institucion qendror në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe si i tillë ekziston vetëm në kryeqytet. Aplikacioni është i bazuar në ueb dhe është i disponueshëm pavarësisht lokacionit gjeografik.

ICT Awards

PCWA: Si është përdorimi i platformës, statistika?

Statistikat të cilët i mbledhim dhe i analizojmë janë vjetore dhe të njëjtat prezantohet udhëheqësisë për çdo vjet duke krijuar raporte me të cilët vlerësohet puna e qendrës. Nga ajo që ne kemi mbledhur, numri i kërkesave të realizuara me sukses është në rritje të konsiderueshme. Në vitin 2017 kemi realizuar me sukses rreth 7.000 kërkesa nga të gjitha kategoritë, ndërsa në 2018 numri i tyre është rrit për përafërsisht 27%, respektivisht afër 9.000 kërkesa.

PCWA: Çfarë do të thotë për Qendrën e Shërbimeve TI çmimi Shërbimi Publik i vitit?

Pasi ishte herë e parë që ne si institucion morëm pjesë në një konkurs të tillë, çmimi Shërbimi Publik i vitit për ne është më se i rëndësishëm. Ai, jo vetëm që rrit besueshmërinë në institucionit tonë, por edhe tregon që puna të cilën e bëjmë është në kahjen e duhur. Ashtu siç edhe thamë gjatë pranimit të çmimit, vetë prezenca në ICT Awards për ne ishte një privilegj. Çmimi, ishte një emocion i cili ishte shumë i veçantë dhe i cili na obligon që në të ardhmen të punojmë akoma më shumë drejt rritjes së kualitetit të shërbimeve të cilët i ofrojmë. Për këtë, jemi shumë falënderues organizatorëve ICTS media të cilët mundësuar që të prezantohemi me punën tonë dhe jurisë e cila bëri atë përzgjedhje.

PCWA: Çfarë risish të tjera do të vinë në platformë?

Platforma si e tillë, ka edhe shumë punë për tu bërë, pasi vetë natyra e kërkesave të cilët vijnë ndryshojnë si pasojë e zhvillimit të teknologjisë. Ajo në të cilën punojmë për momentin është avancimi i platformës duke përfshirë edhe CMDB, d.m.th. modulin për menaxhim me asetet brenda institucionit i cili gjithashtu do lehtësojë punën e shfrytëzuesve të sistemit, pasi ndërlidhja e çdo aseti që nga njësitet më të thjeshta konfiguruese e deri tek sistemet më të ndërlikuara, do mundësojë që realizimi i kërkesave të bëhet akoma më shpejtë pasi do të kemi të automatizuar varshmërinë e kërkesave kundrejt aseteve të cilët ndërlidhen me ato kërkesa.

PCWA: Plane dhe projekte të ardhshme për zhvillimin e mëtejshëm të platformës?

Ne jemi vazhdimisht duke punuar në avancimin e platformës. Duke pas parasysh se si departament i TI-së të gjitha produktet i realizojmë brenda organizatës tonë dhe për çdo vit kemi shumë kërkesa për projekte të ndryshme nga sfera e punës së bankës, planet për zhvillim të mëtutjeshëm do të varen edhe nga vetë koha të cilën do ta kemi në dispozicion dhe resurset e disponueshme për punë në platformën Qendra për TI shërbime. /PCWorld Albanian

Burimi: http://pcworld.al/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.