Ferrari nuk do të prodhojë më motorë për Maseratin

në kategorine Galileo

Prodhuesi nga Maranello në 2-3 vjetët e ardhshme do të pezullojë prodhimin e motorëve për modelet e Maseratit.

Dy prodhuesit e njohur italianë të veturave sportive u bashkuan me krahun e FCA (Fiat Chrysler Automobiles) deri në vitin 2015, kur Ferrari, me vendim të menaxhimit të grupit, u nda në një kompani të veçantë, me qëllim që aksionet e tij të shfaqen në bursë.

Përkundër kësaj, Ferrari vazhdoi të prodhojë motorë V6 dhe V8 për Maseratin, Ghiblin, Quattroporte, Levante, GranTurismo dhe GranCabrio – praktikisht për të gjithë gamën e kësaj marke.

Prodhimi i motorëve vazhdoi në bazë të një kontrate të vlefshme ndërmjet dy kompanive. Megjithatë, siç thonë në Ferrari, Maserati njoftoi se pas skadimit të kësaj kontrate nuk e ka ndërmend ta ripërtërijë atë.

Ferrari thotë se dërgesat e motorëve për Maseratin do të përfundojnë në vitin 2021 ose 2022 dhe e quan këtë një lajm pozitiv pasi do të jetë në gjendje të drejtojë punën në veturat e veta elektrike.

Drejtuesit e prodhuesit nga Maranello thonë se pas skadimit të kontratës me Maseratin nuk planifikojnë të prodhojnë motorë për kompani tjera të veturave, por vetëm për nevojat e veta.

Maserati përdorë motorët e Ferrarit në modelet e veta që nga viti 2002. Aktualisht janë motorët 3.0-litër V6 Turbo, 3.8-litër V8 dhe 4.7-litër V8 atmosferik.

Për momentin nuk dihet se si do ta kompensojë Maserati mungesën e motorëve të Ferrarit në modelet e veta./ksp

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.