Profesioni që kam zgjedhur, drejtësia, pasqyron karakterin tim

në kategorine Diaspora

Liridona Asllani: “Profesioni që kam zgjedhur pasqyron dhe shpalos më së miri karakterin tim. Edhe si vajzë e vogël, më pëlqente të flisja dhe ndjeja detyrimin për të reaguar, folur kur shihja ndonjë padrejtësi në përgjithësi”

E Diel, 12 Maj 2019 – 14:00
Sevdail Tahiri

Liridona Asllani është juriste. Studimet, shkallën Bachelor dhe Master, i ka mbaruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Bazelit, më të vjetrit në Zvicër. Ajo aktualisht po përfundon praktikën e fundit në Gjykatën Kantonale të “Basel-Landschaft” në divizionin e së drejtës civile dhe penale, duke bërë pjesë kështu në numrin shumë të vogël të shqiptarëve që ushtrojnë këtë funksion në Zvicër.
Në intervistën për albinfo.ch ajo flet për rrugën e saj profesionale si juriste, për motivet që e kanë shtyrë për të zgjedhur këtë profesion, për numrin në rritje të juristëve dhe avokatëve shqiptarë në Zvicër etj.
Albinfo.ch: Të punosh si avokate / juriste në Zvicër është një punë jashtëzakonisht e vështirë për arsye se konkurrenca është shumë e madhe. Pse vendosët të studioni juridikun
Liridona Kur fillova studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Bazelit, ishim më shumë se 200 studentë. Konkurrenca ishte shumë e madhe. Sidoqoftë, unë kam qenë gjithmonë e përqendruar, fokusuar në forcat e mia, pa shikuar shumë majtas dhe djathtas se çfarë po ndodhë. Situatat e palakmueshme gjithnjë kanë penguar që të përqendrohemi në gjërat esenciale dhe plotësisht të shfrytëzojmë potencialin tonë. Për atë duhet të neglizhohen, për të vazhduar me gjëra thelbësore. Por konkurrenca e shëndoshë nuk është domosdoshmërisht diçka negative. Ajo promovon zhvillimin dhe hap rrugë të reja për të zgjidhur problemet që dalin në një mënyrë më efikase dhe të synuar. Në jurisprudencë kjo është reflektuar në veçanti në “LegalTech”, ku me pak fjalë “IT” takon ”Jurën”, përmes kësaj ndërveprimi mund të gjenden zgjidhje specifike për çështje të shumta ligjore.
Profesioni im që kam zgjedhur pasqyron, reflekton dhe shpalos më së miri karakterin tim. Edhe si vajzë e vogël, më pëlqente të flisja dhe ndjeja detyrimin për të reaguar, folur kur shihja ndonjë padrejtësi në përgjithësi.
Ishte dëshirë e prindërve apo vendosët ju vet për të ardhmen tuaj?
E kuptoj dhe e vlerësoj dëshirën e disa prindërve të ndikojnë në vendimet për ardhmërinë e fëmijëve të tyre por mendoj se kjo qasje është e gabuar.
Unë jam rritur në një frymë shoqërore, ku anëtarët e familjes ishin më shumë shokë e shoqe sesa prindër dhe fëmijë. Kishim lirinë e të menduarit, të debatit dhe të zhvillimit personal. Në rrethana të tilla është e paimagjinueshme të diktohen vendimet personale. Unë vet kam vendosur për të ardhmen time dhe kam pasur përkrahje të pakufishme nga familja ime e mrekullueshme.
Shqiptarët kanë ecur mes vështirësive për tu integruar në jetën konkurruese të vlerave të shoqërisë e shtetit ligjor zviceran. Ku janë shqiptarët tani përballë ligjit?
Popullata shqiptare jo vetëm se është integruar me sukses në shoqërinë zvicerane por edhe është duke luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në ruajtjen, përfaqësimin dhe zhvillimin e shtetit. Ne duhet të jemi gjithnjë të vetëdijshëm se integrimi, në kundërshtim me pikëpamjet e shumta – nuk do të thotë “përshtatje”. Në një proces të integrimit nëpërmjet ndërveprimit krijohet gjithmonë diçka e re.
Ndihem shumë me fat për mundësinë që kam të zgjedh më të mirën nga vlerat shqiptare dhe zvicerane. Kam përshtypjen se këtë ndjenjë e ndajnë pothuajse të gjithë “secondos”-ët me prejardhje shqiptare.
Në ndërkohë shqiptarët i gjen të inkuadruar me sukses në sport, në art, në politikë, në mjekësi, në gazetari, në arsim, në shkencë, në industri, në restorante, në hotele dhe profesione tjera.
Shqiptarët gjithashtu qëndrojnë mirë përballë ligjit dhe zbatimit të ligjit. Natyrisht, si te çdo komb ashtu edhe te ne kemi të atillë që “kërcejnë jashtë valles”. Por unë jam optimiste se brenda një dekade, shumë gjëra do të ndryshojnë për të mirën e përgjithshme këtu në Zvicër.
Po ashtu gjatë studimeve ne Fakultetin Juridik te Bazelit kam vërejtur se numri i studentëve shqiptarë ishte relativisht i ulët. Shumica ishin të prirur të studiojnë drejtimet ekonomike dhe biznesore. Megjithëse kjo është sigurisht një zgjedhje personale, unë do të doja të inkurajoj të rinjtë të studiojnë juridikun.

Asnjëherë nuk keni shkëputur lidhjet me atdheun po edhe me komunitetin të cilin i takoni, madje keni menduar për t’u ofruar ndihmë falas juridike shqiptarëve të këtushëm. Për çfarë më konkretisht bëhet fjalë?
Shumë shqiptarë kanë nevojë për ndihmë juridike, sidomos familjet të cilat nuk qëndrojnë mirë ekonomikisht, me gjuhë apo me të arritura personale. Për mua jo vetëm se është obligim moral njerëzor por është kënaqësi t`i ndihmoj pjesëtarët e komunitetit tonë në zgjidhjen e konflikteve të ndryshme dhe hapjen e dyerve të zhvillimit personal dhe familjar.
Unë do të përpiqem të jap kontributin tim, duke ju ofruar lexuesve tuaj si dhe të tjerëve mundësinë për të ndërtuar një lloj këndi pranë revistës tuaj të ashtuquajtur “Këndi i Juristit” ku lexuesit tuaj si dhe të gjithë të tjerët do të kenë mundësi të parashtrojnë pyetje të cilat do të marrin përgjigje falas, që ndërlidhen me profesionin tim.
Sa janë të vështira studimet e juridikut?
Çdo fakultet juridik në Zvicër ka specialitetet e tij. Unë kam diplomë dhe magjistraturë në Fakultetin Juridik të Bazelit, i cili është fakulteti më i vjetër i jurisprudencës në Zvicër. Qysh në vitin e parë, të ashtuquajturat provimet e vitit të parë çojnë në një seleksionim të madh dhe numri i studentëve bie pak. Pas përfundimit të magjistraturës me sukses, marrim titullin Jurist/Juriste. Pas kësaj, për tu bërë avokat, është prapë një rrugë e gjatë. Ne së pari duhet të përfundojmë punën praktike e cila është obligatore, pranë një zyre të avokatëve, në gjykata ose autoritete publike për të paktën një vit.
Megjithatë edhe këtu ekzistojnë ca dallime të vogla nga kantoni në kanton.
Unë përfundova praktikat e mia në një zyrë të njohur të avokatisë, në Zürich. Më pas kam punuar në departamentin ligjor të “HR” pranë një kompanie farmaceutike globale në të cilën punoja kohë pas kohe edhe gjatë studimeve të mia. Aktualisht po përfundoj praktikën e fundit në Gjykatën Kantonale të “Basel-Landschaft” në divizionin e së drejtës civile dhe penale.
Vetëm pas mbarimit të kohës së stazhit të kërkuar, është e mundur që të regjistroheni për provimin e avokaturës. Pasi të regjistrohem, paraqitem, më duhet të angazhohem për një periudhë të gjatë me mësime intensive. Me përfundimin e suksessshëm të provimit, të marrim titullin avokat.
 
(„Fotografie: Ágnes und Simon Frey“)
 

Burimi: https://www.albinfo.ch

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.