Ceremonia zyrtare e pranim-dorëzimit të funksionit President në vilën “Vodno”

në kategorine Maqedoni

Shkup, 12 maj 2019 (MEDIAL) – Në Kabinetin e Presidentit “Vila Vodno” sot, në orën 13:45, do të mbahet ceremonia zyrtare e pranim-dorëzimit të funksionit Shef i shtetit me nderimet më të larta ushtarake dhe shtetërore.

Pas ceremonisë solemne, është paraparë që presidenti Gjorge Ivanov dhe presidenti Stevo Pendarovski të mbajnë takim tet-a-tet, pas çka do të pasojë edhe takimi i përbashkët i dy presidentëve me të punësuarit në Kabinetin e Presidentit.

Pendarovski do të ketë edhe takime bilaterale me presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev, me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta si dhe me  presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Është paraparë të realizojë takime bilaterale edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Sërxhan Darmanoviq, me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Faruk Kajmakçi, si dhe me nënsekretarin shtetëror në MPJ të Republikës së Polonisë, Pjitër Vavzhik. .

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.